
Gjithçka duket gati per te vendosur vendkontrollin e përhershëm mes
Kosoves dhe Serbisë, në njërën nga pikat kufitare në veri të Kosovës.
Disa punonjës të EULEX-it jane angazhuar për heqjen e objekteve të vjetra kufitare, ndërsa një vijë e kuqe në asfalt shënon vendin që ndan territorin në dy shtete. Në këtë hapësirë do të vendosen objektet e reja kufitare sipas marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.
Por ndryshe nga pjesët e tjera, kufiri verior Serbinë është një tregim tjetër. Prishtina zyrtare e shfaq pushtetin e saj në këtë pjesë të territorit, duke i transportuar policët e doganieret nëpërmjet ajrit.
Rreth orës 10.30, helikopteri i KFOR-it sjell doganierët dhe policët në pikën kufitare 1 në Jarinje. Dy oficerë doganorë dhe dy policë zbresin nga helikopteri në zonën ushtarake të KFOR-it, të vendosur së fundmi në kufi.
Zyrtarët kosovarë futen në një automjet civil pa targa, në mënyrë që të kalojnë edhe dy kilometra në drejtim të pikëkalimit kufitar, i ndërtuar përkohësisht në kuadër të IBM-it, në brendësi të territorit të Serbisë.
Ata kanë me vete sende personale, rrobat dhe ushqimet pasi orari i punës në pikat kufitare veriore është 72 orë.
“Kushtet nuk janë të këqija, kemi vendqëndrimin në këtë zonë dhe cdo gjë shkon në rregull. Ne kemi si ndërmjetues edhe EULEX, doganierë dhe policë të misionit. Bashkëpunimi deri tani ka qenë normal”, thotë oficeri doganor Mensur Bekteshi.
Edhe në pikëkalimin kufitar në Jarinje, pala kosovare dhe ajo serbe funksionon në të njëjtin kulm, por në këtë pikë ka prezencë të shtuar të zyrtarëve të EULEX-it, të cilët po kështu kryejnë detyra kontrolli.
Për faktin se kufiri verior është shfrytëzuar shumë për kontrabandimin e mallrave, zyrtarët kosovarë thonë se tashmë kontrollojnë secilin automjet dhe regjistrojnë të gjitha mallrat që hyjnë, pavarësisht destinacionit të tyre.
“Mallrat trajtohen si në çdo pikë tjetër kufitare. Ne kemi një libër që regjistrojmë cdo ngarkesë që hyn në këtë pikë, i regjistrojmë pa marrë parasysh nëse malli shkon për në jug të lumit Ibër apo në veri. Çdo mall trajtohet në mënyrë të barabartë dhe me procedura standarde”, thotë Bekteshi.
“Ashtu si në cdo pikë tjetër kufitare edhe këtu, legjitimohen dhe kontrollohen të gjitha mjetet dhe personat, si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Ata që kanë leje të hyjnë me letërnjoftime, hyjnë me të tilla, kurse ata që nuk kanë letërnjoftim duhet ta kenë pasaportën”, thotë pjestari i policisë së Kosovës Bylent Maxhuni.
Por pak më larg objekteve kufitare ku kryejnë detyrat e tyre autoritetet kosovare e të cilët pas 3 ditësh pune dhe gjumi në kufi edhe rrugën e kthimit e bëjnë me helikopter, veriu vazhdon të mbetet një zonë ku ligjet e Kosovës nuk njihen. Udhëtimi i ekipit të Top Channel drejt pikës kufitare u mundësua nga policia e Kosovës, përkatësisht pjestarëve serbë të saj që bënë shoqërimin. Duke ja lënë në dorë politikën të zgjidhe problemin e veriut, edhe këta policë ecin me symbyllur, përballë automjeteve pa targa, potsblloqeve të strukturave ilegale dhe barrikadave të vendosura nga strukturat e Serbisë.
Top Channel