
Ramush Haradinaj është rikonfirmuar kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e gjashtë zgjedhor të kësaj partie.
Sipas informacioneve të fundit, nga 404 delegate ai ka marë 403 vota dhe vetëm 1 votë ka rezultuar e pavlefshme.
Në fjalimin e mbajtur para votimit, Haradinaj deklaroi se Kosova sot ka nevojë për një qeverisje të re, e cila qytetarët e vendit duhet t’i ketë në plan të parë.
“Kosovës i duhet një ndryshim i madh në qeverisje, e cila nuk duhet të mendojë se si të thurë plane të mbrapshta, por të drejta dhe që në radhë të parë të ketë interesat e qytetarit”, tha Haradinaj.
Duke paraqitur vizionin e partisë së tij, ish-kryeministri i Kosovës theksoi se, “AAK do të ketë në fokus shtetasin dhe shtetin dhe për këtë ka përgatitur një plan konkret, në mënyrë që vendi të ecë përpara”.
Ai kujtoi se, Kosova ka potencialin më të madh ekonomik në rajon dhe Evropë, pasi ka pasuri të konsiderueshme minerare.
“Kur AAK të vijë në pushtet, zhvillimi ekonomik do të jetë primar dhe planet tona për zhvillim nënkuptojnë shfrytëzimin e minieraleve dhe qymyrit për të bërë një ekonomi të qëndrueshme”, u shpreh Haradinaj.
Në garën për postin e kryetarit, Haradinaj, i cili së fundmi u shpall i pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte nga gjykata e Hagës, nuk kishte asnjë rival.
Pas kthimit nga Haga u përfol për një bashkëpunim të mundshëm mes tij dhe kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, mundësi kjo që u ezaurua pasi ky i fundit refuzoi të hiqte dorë nga posti i kryeministrit, siç kërkonte Haradinaj.
Top Channel