Kandidati humbës i zgjedhjeve në Venezuelë, Henrique Capriles, ngriti një padi, pas parregullsive që sipas tij manipuluan vullnetin e zgjedhësve.
Një rinumërim i pjesshëm i votave tregoi më parë gjatë javës se diferenca me të cilën Maduro fitoi zgjedhjet ishte prej 220 mijë votash, 80 mijë më pak se në numërimin fillestar.
Capriles ka kërkuar që të bëhet një rinumërim i plotë, i bindur që shumë vota të tjera të hedhura për të nuk janë numëruar, por Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka refuzuar deri tani hapjen e kutive.
Avokatët që përfaqësojnë Capriles, ditën e premte dorëzuan ankesën e tyre në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar pas refuzimit të autoriteteve zgjedhore për rinumërim, anullimin e plotë të zgjedhjeve dhe rivotimin në të gjithë vendin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin pretendimet e Capriles, por kandidati fitues, Nicolas Maduro dhe një shumicë vendesh thonë se zgjedhjet ishin të rregullta.
Maduro u caktua nga ish-presidenti Hugo Chavez si pasardhësi i tij, në prag të vdekjes së ndodhur në 5 mars, çka detyroi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Njeriu që zbatoi në Venezuelë një program të gjerë socializmi dhe shtetëzimesh, Hugo Chavez, drejtoi vendin e Amerikës Jugore për 15 vjet, që prej 1998-s.
Top Channel