Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka dënuar Greqinë për shkelje të së drejtës së lirisë dhe sigurisë ndaj dy fëmijëve nga Shqipëria dhe Gjeorgjia.

I mituri shqiptar Albano Bajramaj u arrestua në muajin prill të vitit 2011, kur ishte vetëm 16 vjeç, pasi nuk kishte me vete lejen e qëndrimit dhe u mbajt për tre ditë në dhomat e paraburgimit.

Ndërsa dëbimi i tij nga Greqia u vendos pa iu dhënë më parë e drejta për të denoncuar ligjshmërinë e paraburgimit dhe arrestimit të tij.

Pas këtij akti familja e tij iu drejtuar Gjykatës së Strasburgut dhe ajo, duke pranuar pretendimet e ngritura, ka dënuar Greqinë duke e detyruar të paguajë edhe shumën prej 2.000 eurosh si shpërblim moral ndaj të miturit shqiptar.

Në rastin e dytë Greqia është dënuar për shkeljen e nenit të tretë të Paktit të të Drejtave Njerëzore, sipas të cilit ndalohet trajtimi çnjerëzor dhe diskriminues, në rastin e një fëmije nga Gjeorgjia, i cili ishte keqtrajtuar nga autoritetet greke gjatë burgosjes së tij deri sa ishte deportuar.

I mituri gjeorgjian kishte bërë kërkesa të përsëritura tek gjykatat greke për të kundërshtuar burgimin e mëtejshëm, por, siç theksohet edhe në vendimin e Strasburgut, ato janë refuzuar sistematikisht.

Edhe në këtë rast, Gjykata e të Drejtave të Njeriut, të cilës iu drejtua familja e fëmijës në shenjë proteste ndaj kushteve të paraburgimit, e ka dënuar Greqinë duke e detyruar atë të paguajë dhe 8.000 euro për shpërblim moral dhe material.

Greqia është kritikuar në muajt e fundit nga OKB përsa i përket proçesit të paraburgimit dhe kushteve dramatike në qendrat e posaçme për mijëra emigrantë të paligjshëm, sidomos pas një operacioni për arrestimin e tyre që vazhdon që prej verës së kaluar.

Ndërsa Amnesty International në një raport të fundit të saj ka theksuar se gjendja ka filluar të marrë përmasat e një krize humanitare persa i perket aftesise se organeve greke ne respektimin e te drejtave te azilanteve dhe emigranteve te huaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA