Siri, mbi 40 të ekzekutuar nga ushtria

03/05/2013 00:00

Të paktën 40 persona janë ekzekutuar nga forcat e regjimit të presidentit Bashar al Assad në një fshat të vogël në veri-perëndim të Sirisë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër dhe Qendra e Dokumentimit të Krimeve të Luftës publikuan një listë me emra të cilët këto dy organizma thonë se janë pushkatuar nga ushtria e rregullt siriane.

Një video e postuar në internet tregon trupat e pajetë të shtatë personave në një pellg me gjak, ndërsa media shtetërore nuk ka raportuar asgjë për ngjarjen në fjalë.

Grupi kryesor që lufton kundër presidentit Assad akuzoi këtë të fundit për masakra në shkallë të gjërë duke mos kursyer as civilë, gra e fëmijë.

“Është koha që bota të ndërhyjë dhe t’i japë fund krimeve monstruoze të regjimit të Assad”, thuhet në një deklaratë të Koalicionit Kombëtar Sirian.

Të enjten presidenti amerikan, Barack Obama deklaroi se Shtetet e Bashkuara është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për dhënien fund të konfliktit. Deklarata e Obamas mbërriti pas asaj të Sekretarit të Mbrojtjes, Chuck Hagel, i cili tha se Uashingtoni është duke rimenduar vendimin për armatosjen e rebelëve.

Obama tha se nuk do të nxitojë në marrjen e një vendimi pa qenë i sigurtë më parë që ai vendim nuk do ta bëntë situatën në Siri më vdekjeprurëse dhe më komplekse për t’u zgjidhur.

Ndërkohë, në terrent luftimet vazhdojnë dhe ato nuk kursejnë as pjesën historike të vendit. Forcat ajrore të regjimit bombarduan një urë të ndërtuar në vitin 1927 nga inxhinierë francezë. Ura për stilin e ndërtimit të saj ishte shndërruar në një simbol kombëtar, aq sa pati përfunduar edhe tek monedhat vendase.

Pas bombardimit ajo u shkatërrua plotësisht. Sipas mediave ndërkombëtare, shkatërrimi i saj u bë nga forcat e regjimit në përpjekje për të ndërprerë të gjitha rrugët e komunikimit të forcave rebele.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA