Siri, Hagel: Po shqyrtojmë armatosjen e rebelëve

03/05/2013 03:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka pranuar se qeveria e tij nuk e përjashton mundësinë e armatosjes së rebelëve sirianë.

Kjo është hera e parë, që një zyrtar i lartë amerikan e ka thënë hapur faktin që SHBA-të po rishqyrtojnë kundërshtimin e mëparshëm për furnizimin me armë të forcave rebele.

Presidenti Barack Obama, i cili refuzoi një propozim të tillë vitin e kaluar, tha se SHBA-të tashmë po konsiderojnë “të gjitha opsionet”.

Ndërkohë, akuzat po shtohen gjithnjë e më shumë se forcat qeveritare të Assad-it kanë kryer ekzekutime pranë qytetit të Banias.

Observatori Sirian i të Drejtave të Njeriut (SOHR), me bazë në Britani, tha se po përpiqet të verifikojë raportimet se trupat qeveritare kanë vrarë të paktën 50 persona, përfshi gra e fëmijë, në fshatin veri-perëndimor të al-Bayda-s.

Grupi aktivist monitoron shkeljen e të drejtave të njeriut nga të dyja palët e konfliktit, përmes një rrjeti kontaktesh anembanë Sirisë.

Luftime të ashpra ndodhën gjatë mëngjesit të së enjtes, mes forcave qeveritare dhe rebelëve, pranë këtij fshati. Duke qenë se luftimet po zgjaten në Siri, debati në lidhje me atë se çfarë duhet të bëjnë SHBA-të është intensifikuar në Washington.

Pikërisht, duke folur në Washington, Hagel konfirmoi se SHBA po rishqyrton kundërshtimet e mëparshme për mos armatosjen e rebelëve, por theksoi se asnjë vendim nuk është marrë aktualisht.

“Armatosja e rebelëve është një opsion”, tha ai për reporterët. “Na duhet të shohim dhe të mendojmë të gjitha opsionet. Por, kjo nuk do të thotë se po e bëjmë apo do ta bëjmë. Këto janë opsione, që duhet të shqyrtohen së bashku me komunitetin ndërkombëtar: çfarë është e mundshme, çfarë mund të ndihmojë të arrijmë objektivat tona”.

Hagel i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët me Sekretarin britanik të Mbrojtjes, Philip Hammond. Ky i fundit tha se Britania nuk ka mundur të dërgojë armë deri tani, për shkak të embargos së vendosur nga BE-ja për rebelët. Por, “ne do të konsiderojmë situatën, kur kjo embargo të përfundojë brenda pak javësh”, shtoi ai.

Më vonë, gjatë së enjtes, presidenti Obama tha, gjatë një vizite në Meksikë, se SHBA-të “vazhdimisht vlerësojnë situatën në terren, për të gjetur rrugën më të mirë për të aplikuar një tranzicion politik”.

“Duke patur prova për vazhdimin e gjakderdhjes, përdorimin potencial të armëve kimike brenda Sirisë, ajo që dua të them është se do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë”, shtoi Obama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA