Dy të dyshuarit për shpërthimin e ndodhur gjatë maratonës së Bostonit planifikonin fillimisht që të godisnin festimet e ditës së pavarësisë, në datën 4 korrik.
Megjithtaë, vëllezërit Tsarnaev arritën që të përfundonin realizimin e bombave më shpejt nga sa e kishin planifikuar, deklaroi një zyrtar i FBI-së në mediat amerikane.
Nuk është e qartë se cilin event synon të godisnin atentatorët çeçenë, por në Boston realizohet aktivitete të përvitshme madhore në 4 korrik.
Një sulm në përvjetorin amerikan të pavarësisë nga Perandoria Britanike, sipas atentatorëve, do të ishte në gjendje të shoqëronte sulmin e tyre me një simbolikë të fortë.
Njëkohësisht, në mediat amerikane mësohet se Tamerlan dhe Dzhokhar kishin marrë parasysh edhe mundësinë e sulmeve vetvrasëse, por më vonë ishin tërhequr me besimin që mund t’i shpëtonin policisë.
Gjithashtu gjatë të premtes, trupi i Tamerlan, vëllait të madh të vrarë në përpjekjet me policinë pas identifikimit të tij, u përcoll për në Dagestan, Rusi, ku do të varroset nga familjarët me nderimet përkatëse.
Sulmi në maratonën e Bostonit i kushtoi jetën tre personave, ndërsa mbi 170 të tjerë mbetën të plagosur.
Top Channel