“Jo legalizimit të drogës”. Këtë e ka ritheksuar presidenti amerikan Barack Obama gjatë vizitës së tij në Meksikë, vend i rrënuar pikërisht nga narko-lufta.
Deklaratën e tij, Obama e ka bërë në një takim me 800 studentë, docentë dhe biznesmenë, ku ndër të tjera ka pranuar se një prej shkaqeve të dhunës në vendin latin është kërkesa për drogë në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, presidenti amerikan ka dhënë edhe mesazhin e shpresës. “Po lind një Meksikë e re. Harrojini steriotipet e vjetra. Meksika po thellon gjithnjë e më shumë demokracinë e saj”, ka thënë Obama.
Legalizimi i narkotikëve, në veçanti kokainës si droga më e shitur, konsiderohet nga ekspertët e krimit të organizuar si mënyra më e mirë për të frenuar flukset e parave që vijnë nga tregtia e tyre dhe për të rrënuar organizatat kriminale që i menaxhojnë ato.
Këtyre zërave iu bashkua së fundmi edhe gazetari i njohur italian Roberto Saviano, që muajin e kaluar promovoi librin e tij të ri kushtuar pikërisht trafikut të kokainës, “Zero, Zero, Zero”.
“Legalizimi është e vetmja rrugë. Sigurisht që kjo ka një kosto sociale të rëndësishme, por duhet të marrim parasysh se po flasim për një xhiro aferash ilegale që shkon mbi 300 miliardë dollarë dhe që dëmton tërë ekonominë botërore”, tha Saviano.
Top Channel