Pas taksës për pasuritë e paluajtshme, bashkëqeverisja mes PD dhe PDL të përcahet edhe nga emri që duhet të drejtojë komisionin parlamentar të reformave.
Komisioni do të përfshijë deputetë të Dhomës së Ulët dhe senatorë të të gjitha forcave politike dhe detyra e tij do të jetë hartimi i politikave ekonomike dhe sociale për të bërë të mundur daljen e vendit sa më parë nga situata e rëndë ekonomike.
Zërat e parë që qarkulluan flisnin për Silvio Berlusconi-n si drejtues të këtij komisioni. Këto zëra nuk u pohuan, por as u mohuan si nga PDL ashtu edhe nga PD, të paktën deri në momentin e intervistës së Stefano Fassina-s, anëtar i lartë i PD-së dhe zv.ministër i Ekonomisë.
Në një intervistë për TG3 ai deklaroi se Berlusconi nuk ishte emri i përshtatshëm për drejtimin e këtij komisioni pasi nuk përmbushte kërkesat e gjitha forcave politike.
“Duhet të gjejmë një emër, një figurë që mund të japë garanci për të gjitha forcat politike që përfaqësohen në parlament, dhe kam frikë se senatori Berlusconi nuk është në gjendje ta bëjë dicka të tillë”, tha ai.
PDL ka reaguar menjëherë duke i cilësuar si të pavend dhe të nxituara deklaratat e aleatit të saj të majtë në qeverisje. Partia e Berlusconi-t thotë se ky komision parlamentar duhet të drejtohet nga një figurë e rëndësishme e qendrës së djathtë duke qenë se e majta, sipas saj, drejton të gjitha postet kyçe në parlament.
Top Channel