Postera që shprehin mbështetjen për autorin e akuzuar për atentatin e muajit të kaluar në Maratonën e Bostonit janë vendosur në rrugët e kryeqytetit të Çeçenisë, Grozni.
Ende nuk është e qartë se kush fshihet prapa vendosjes së posterave, ku Dzhokhar Tsarnaev konsiderohet “i pafajshëm”.
Në postera shfaqen foto të Tsarnaev dhe mamasë së tij, Zubeidat, si dhe bëhet një thirrje për donacione online, për ta mbështetur 19-vjeçarin në proçes. Familja Tsarnaev është me etni çeçene por ka jetuar kryesisht jashtë Çeçenisë.
Banorët e Groznit thonë se posterat ka gjasa të jenë vendosur nga dikush që po përpiqet të fitojë financiarisht nga atentati në Maratonën e Bostonit.
Vëllai i madh i Dzhokar, Tamerlan, edhe ai i dyshuar për ngjarjen e 15 prillit, mbeti i vrarë në një shkëmbim zjarri me policinë që vendosi shtetrrethimin në Boston.
Thuhet se Tsarnaevët jetuan për vite të tëra në Kirgizstan, në Azinë Qendrore, dhe Dagestan, një tjetër republikë ruse në veri të Kaukazit, në kufi me Çeçeninë.
Në vitin 1990, lufta e udhëhequr nga Rusia në Çeçeni u shtri edhe në Dagestan. Tani situata atje është më e dhunshme dhe po përjetohet një rebelim silamik përballë një ofensive të rreptë të policisë.
Së fundmi, nga hetimet që po zhvillohen nga FBI në Shtetet e Bashkuara është zbuluar se dy të dyshuarit për shpërthimin në Maratonën e Bostonit planifikonin fillimisht që të godisnin festimet e Ditës së Pavarësisë, në datën 4 korrik.
Ndërsa një ditë më parë tre miqtë e Dzhokar Tsarnaev, të akuzuar se ndihmuan 19-vjeçarin në ditët pas shpërthimeve, dolën përpara gjykatës për t’iu përgjigjur akuzave.
Top Channel