BE: Franca do të hyjë në reçesion

03/05/2013 17:10

Ekonomia e eurozonës do të tkurret më shumë nga sa parashikohet këtë vit, me Francën që do ta ndjejë më shumë dhe do të hyjë në reçesion.

Kështu thotë një raport i Komisionit Evropian, në të cilin parashikohet se rritja në zonën euro do të tkurret me 0.4 për qind këtë vit, nga niveli 0.3 për qind që ishte parashikimi në shkurt.

Franca do të hyjë në reçesion këtë vit, duke regjistruar një rritje negative prej 0.1 për qind dhe me papunësinë që do të ngrihet në 10.9 për qind në vitin 2014 nga 10.6 për qind që është këtë vit.

“E mbërthyer nga kriza e thellë financiare dhe ekonomike, ekonomia e Bashkimit Evropian do të rikthehet të rritet shumë ngadalë gjatë këtij viti”, thotë raporti.

Në të parashikohet se defiçiti i Francës do të rritet ndjeshëm nga 3.9 për qind e GDP-së që është këtë vit në 4.2 për qind në vitin e ardhshëm.

Komisioneri i BE për Ekonominë, Olli Rehn deklaroi të premten se do të ishte e arsyeshme t’i lihej Francës më shumë kohë për të arritur objektivin e BE, që defiçiti të jetë në kuotën 3 për qind.

Megjithatë, një zyrtar i Ministrisë franceze të Financave, i cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, tha se, pavarësisht deklaratave të zotit Rehn, vendi do të arrijë synimin e tij për ta mbajtur defiçitin në 3 për qind në vitin 2014.

Papunësia në vendet e eurozonës pritet të arrijë një mesatare prej 12.2 për qind, nga 11.4 për qind që ishte në vitin 2012, me Greqinë dhe Spanjën që pritet të përbëjnë 27 për qind të kuotës.

Zoti Rehn tha se, “në syrin e reçesionit ne duhet të bëjmë çfarëdo që duhet për të tejkaluar krizën e papunësisë”, por ai shtoi se GDP-ja e eurozonës mund të rritet me 1.2 për qind në vitin 2014.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA