Pullat e postës janë konsideruar “ambasadore” të jetës politike, shoqërore apo ekonomike të një vendi.
Pulla e parë në botë është regjistruar në Angli në 1 maj të vitit 1840 dhe paraqet mbretëreshën Viktoria dhe mbart të shtypura fjalët POSTAGE dhe ONE PENNY.
Kjo mënyrë shërbimi u gjet shumë praktike dhe shpejt filloi të shtrihej nga Anglia në vendet e tjera të Europës. Në Shqipëri e ka zanafillën nga viti 1863, kohë kur u vendos në qarkullim pulla e parë e Perandorisë Otomane.
Me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit, duke vlerësuar rëndësinë e shërbimit postar krijoi edhe Ministrinë e Postë-Telegraf-Telefonave, me ministër Lef Nosin. Qeveria e asaj kohe mori në administrim të gjitha zyrat postare të trashëguara nga Perandoria Osmane.
Më 5 maj 1913 u hodh në qarkullim pulla e parë postare shqiptare, e cila qe një vulë me ngjyrë të zezë, me të cilen u shtypën 2232 zarfa. Kjo pullë u vu në qarkullim në 11 qytete, ku funksiononin zyrat postare. Kjo pullë-vulë kushtonte një grosh.
Pulla e parë me të gjitha elementet e sotshëm të një pulle, e prodhuar në shtypshkronjën e Torinos, ishte një portret i Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Ndër përpjekjet e qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit për njohjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare bën pjesë edhe fakti që më 7 korrik të vitit 1913, kjo qeveri paraqiti kërkesën zyrtare për t’u anëtarësuar në Bashkimin Postar Universal, por u pranua vetëm në vitin 1922.
Karakteristikë e pullave shqiptare është mbizotërimi i temës politike. Gjatë viteve të mbretërisë u emetuan me shumicë pulla me portretin e mbretit Zog I, ndërsa gjatë pushtimit italian spikat shpesh fytyra e Viktor Emanuelit III.
Menjëherë pas çlirimit e deri në vitet ’90 të shekullit XX, pullat patën larmi tematike.
Edhe pse përgjithësisht pullat ishin të politizuara e të ideologjizuara, në këtë periudhë pulla është pasuruar me tematika nga flora dhe fauna, nga sporti, nga arti, nga arkeologjia, nga artizanati etj.
Aktualisht katalogu i pullave shqiptare numëron mbi 3000 pamje të ndryshme pullash.
Pulla e peshëngritësit Ymer Pampuri
Ymer Pampuri është peshëngritësi kampion që solli në Shqipëri medalje ari e vendosi rekord në Olimpiadën e Mynihut në vitin 1972.
Legjenda e sportit shqiptar, miti i sportistëve, sot bën një jetë të thjeshtë e të tërhequr. Preferon të shëtisë e të shkojë në palestër nostalgjik, qoftë edhe sa për të parë apo prekur veglat e forcës.
“Mjeshtri i Madh i Punës” i shumë medaljeve e titujve ka gjëra për të cilat duhet të ndihet krenar. Ai është një ndër tre personalitetet ende të gjallë që janë nderuar duke u dedikuar një pullë postale. Kryesisht bëhet për mbretër apo diktatorë si dhe personazhe te cilët kanë dhënë kontributin e tyre, por që nuk jetojne më dhe emetimi i pullës postare për ta është bërë në përvjetorë ditëlindjesh.
Në kujtimet e tij mbetet i bukur momenti kur përfaqësues të postës erdhën në shtëpinë e tij dhe e njoftuan se do t’i dedikonin një pullë poste: “E ndjeva veten shumë të nderuar sepse mendoja se do ma bënin pas vdekjes, por fatmirësisht ma bënë për së gjalli. Kënaqësi shumë e madhe, më dukej vetja si i pavdekshëm.”
Një emision pullash postare kushtuar sportistëve të shquar shqiptarë, emetuar në qershor të vitit 2002, në të cilin përfshiheshin edhe 3 futbollistë të nderuar të cilët ishin ndarë nga jeta: Loro Boriçi, Riza Lushta dhe Naim Kryeziu.
Kampioni tregon se kënaqësia më e madhe e tij ishte që pulla e ngjitur në zarf të binte në sa më shumë duar: “Kisha qejf të shkruaja letra, t’i fusja në një zarf me pullën time dhe t’i dërgoja tek nipërit, mbesat, shokët…”
Pulla me portretin e tij dhënë nga piktori Llazar Taçi, ka vlerën 50 lekë dhe është prodhuar 8 mijë seri.
Nje tjeter personalitet që i është kushtuar një emision pullash ishte Nënë Tereza në vitin 1992 që u përdor në postë për 4 vjet.
I fundit dedikim në pullë poste i është kushtuar Ismail Kadaresë në vitin 2011, në 75 vjetorin e ditëlindjes me motivacionin si figurë e shquar e letërsisë shqiptare. Pulla ka vlerën 40 lekë, u prodhua në sasinë 1 milionë e 800 mijë copë.
Figurat që kanë më shumë dedikime pullash postare janë Ahmet Zogu, president dhe Mbret, në rreth 14 emisione pullash nga viti 1925 deri në vitin 1939 si edhe Enver Hoxha i cili sa ishte gjallë pati rreth 24 emisione pullash postare.
Koleksionisti i pullave
Vaster Dhima është 24 vjeç, student në vitin e katërt në Departamentin e Urbanistikës dhe Arkitekturës. Ka pasion pikturën, muzikën elektronike e metal dhe koleksionimin e monedhave, fotografive dhe pullave të postës. E bën këtë gjë për një arsye shumë fisnike.
”E konsideroj si punë patriotike dhe kam kënaqësi kur i mbledh, i rregulloj dhe i seleksionoj”, thotë Vasteri.
Ai kujton se ka qenë shumë i vogël kur i ka rënë në dorë koleksioni i pullave postale, trashëgimni nga gjyshi i tij: ”Kam qenë 10 vjeç kur i pashë për herë të parë dhe menjëherë u bëra kurioz.”
Jo të gjithë miqtë e bashkëmoshatarët e kuptonin asokohe këtë gjë që Vasterit i jepte shumë kënaqësi dhe sot i jep mundësinë të takojë persona shumë vite më të mëdhenj se ai, por me të njëjtin pasion: ”Kur merresh me koleksione je gjithmonë në lëvizje dhe në kontakt me njerëz, mëson gjëra të reja dhe është eksperiencë shumë e bukur.”
Nëpërmjet pullave të postës ai ka njohur personazhe apo ngjarje historike që e kanë kuriozuar të mësojë më shumë: ”Shumë personazhe që i kisha dëgjuar si emra, i kam njohur vizualisht nëpërmjet pullave.”
Në këtë koleksion të pasur që i kalon 1000 pulla, Vasteri veçon disa për vlerën e madhe që kanë: ”Pulla e 25-vjetorit të pavarësisë është më e veçanta, e kam gjetur kohët e fundit. Më e vjetra është një pullë e vitit 1914 dhe mbart flamurin e Vorio-Epirit.”
Edhe pse kërkon kohë e përkushtim, kënaqësia që merr është shumë e madhe. Ai nuk do të ndahet asnjëherë nga koleksioni i tij dhe do të vazhdojë ta pasurojë ditë pas dite.
Pullat më të shtrenjta
Ndoshta duket e çuditshme që ka njerëz që shpenzojnë shumë kohë dhe para’ për një copëz të vogël letre që ngjitet në zarf. Por ka disa pulla të cilat janë unike dhe çdo koleksionist do të dëshironte t’i kishte në koleksionin e tij, për këtë arsye edhe çmimi për t’i patur është shumë i lartë.
1-The Three-Skilling Yellow. Cmimi: më shumë se 2.3 milionë dollarë
Është pulla e parë e publikuar nga qeveria suedeze në vitin 1855 dhe ishte rezultat i një gabimi në printim. Është e vetmja kopje e gjetur nga koleksionisti George William Backman në papafingon e shtëpisë së gjyshes së tij. Prej atëherë ka ndërruar disa pronarë dhe në vitin1996 u shit 2.3 milionë dollarë. Cmimi më i lartë dhënë për një pullë postare.
2- The First Two Mauritius
Janë dy seritë e para të pullave të emetuara nga qeveria koloniale britanike në vitin 1847. Këto janë një seri pullash të papërdorura. Në vitin 1993 u arrit rekordi i vlerës së shitjes së tyre. E para ngjyrë portokalli u shit 1.1 milionë dollarë dhe e dyta afërsisht 1.2 milionë dollarë.
3-The Inverted Jenny
Kjo është një pullë-pikturë e Amerikës së vitit 1918 dhe ka një ndër gabimet më të famshëm të filatelisë amerikane. Është shtypur kokëposhtë. Janë printuar vetëm 100 pulla dhe për këtë arsye mbeten ndër më të dëshiruarat nga koleksionistët. Në dhjetor të vitit 2007 një pullë e tillë është shitur 825 000 dollarë.
4-British Guiana One Cent Black on Magenta
Pavarësisht se është një pullë e shtypur në një letër me cilësi të dobët me bojë të zezë vlerësohet si një ndër pullat më të rralla e më të shtrenjta. Është e vetmja pullë unike, nuk është gjetur një e dytë. Në vitin 1980 u ble nga koleksionisti Xhon Dupont me çmimin 935000 dollarë.
5-The U.S. Franklin Z-Grill
E printuar në vitin 1867 është ndër pullat më të rralla në SHBA. Gjenden vetëm 2 copë. Në 1988 kjo pullë u shit 930 000 dollarë.
Top Channel