Media në Shqipëri, pjesërisht e lirë

01/05/2013 22:45

Media në Shqipëri është pjesërisht e lirë. “Freedom House”, në raportin e saj për lirinë e shtypit në botë, që u publikua të mërkurën, e rendit Shqipërinë me 49 pikë, dy pikë më lart nga viti i kaluar, në një shkallë vlerësimi, ku 0 është rezultati pozitiv dhe 100 ai negativ.

Vendi ynë renditet i 96-ti mes 197 vendesh, krahasuar me vendin e 107 të vitit të kaluar. Drejtoresha e projektit për lirinë e shtypit në “Freedom House”, Karin Karlekar, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se këtë vit është vënë re një përmirësim për Shqipërinë.

“Rezultati për Shqipërinë u rrit me dy pikë, pra është një prirje pozitive krahasuar me atë, që kemi parë vitet e fundit. Një nga zhvillimet pozitive, që kemi vënë re, është eliminimi i dënimeve me burgim për rastet e shpifjes në sferën ligjore. Mendoj se, kjo solli si rezultat përmirësim më të gjerë në mjedisin e medias”, tha Karin Karlekar.

Drejtoresha e projektit për lirinë e shtypit shpjegon se, një prej sfidave kryesore të medias në Shqipëri është mospërputhja e klauzolave ligjore me standardet ndërkombëtare.

“Po ashtu, ka raste sulmesh dhe shqetësimesh ndaj gazetarëve, që mbulojnë ngjarje, dhe ky është një shqetësim i vazhdueshëm. Ka shqetësime edhe për anën ekonomike, përsa i takon pronësisë dhe përqendrimit të organeve të medias, si dhe njëanshmërisë së tyre.  Por, në përgjithësi, rezultati numerik për Shqipërinë ka qenë i qëndrueshëm vitet e fundit dhe ky vit ishte pozitiv falë përmirësimit ligjor”, tha Karlekar.

Por, çfarë do t’i duhej Shqipërisë të kalojë nga një vend me liri të pjesshme, në ato me media të lirë?

“Do të duheshin më shumë reforma ligjore, më shumë liri informimi, një ambjent më i hapur rregullator, si dhe më pak ndërhyrje politike në përmbajtjen e medias dhe në ambjentin ekonomik. Pra, ka probleme në të gjitha aspektet, që po e frenojnë Shqipërinë. Ne shpresojmë, që Shqipëria të vazhdojë në trajektoren pozitive, që vihet re këtë vit”, tha Karlekar.

Në raportin për lirinë e shtypit në botë, rezultati për Kosovën është po 49, por në renditjen e vendeve është e 102-ta, në krahasim me të 98-tin e vitit të kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA