Zuma: Mandela, në gjendje të mirë

30/04/2013 04:00

Ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, është në “formë të mirë”, bëri të ditur presidenti aktual i vendit gjatë ditës së hënë, por imazhet e fundit flasin ndryshe.

Në një video të lëshuar nga mediat afrikano-jugore, Mandela është i ulur në shtëpinë e tij në Johannesburg, në një karrige prej materiali luksoz ngjyrë bezhë, me një jastëk për të mbështetur kokën e tij dhe një batanije të hedhur mbi këmbë.

Presidenti aktual, Jacob Zuma, qëndron pranë Mandela-s, i cili duket se nuk ka praninë e gazetarëve apo personave të tjerë në dhomë. Në një moment, një nga nipërit e Mandela-s bëri këtë fotografi, por në momentin e shuarjes së “flash”-it të aparatit, ai mbylli sytë, diçka për të cilën njihet tashmë si person i ndjeshëm ndaj dritave të aparateve fotografikë.

94-vjeçari, i cili ka qenë i pari president me ngjyrë i Afrikës së Jugut, doli nga spitali më 6 prill, pasi ishte shtruar në fund të marsit për të marrë trajtime mjekësore për një infeksion të ripërsëritur në mushkëri dhe nga pneumonia.

“Doktorët na dhanë një raport dhe, sigurisht, ne e pamë atë. Ai duket shumë mirë. Është në formë të mirë”, tha Zuma për SABC. “Jemi shumë të gëzuar, pasi shohim që ai është shkëlqyeshëm”.

Zuma tha se kishte folur me Mandela-n dhe se kishte shtrënguar duart me të, duke shkëmbyer edhe buzëqeshje. Komentet e presidentit i bënë jehonë një deklarate të lëshuar nga Kongresi kombëtar Afrikan.

Partia qeveritare tha se zyrtarët janë të kënaqur për faktin që Mandela “është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se ka marrë një kujdes mjekësor shumë të mirë”.

Videoja e publikuar të hënën është e para e ish-liderit të vendit, që prej ditëlindjes së tij në korrik. Mandela, fitues i çmimit Nobel për Paqen, është bërë gjithnjë e më i dobët gjatë viteve të fundit.

Historia e problemeve të tij në mushkëri daton kohë më parë, kur ai ishte një i burgosur politik në Ishujt Robben, gjatë aparteidit. Ai u diagnostikua me tuberkuloz gjatë kohës së burgimit të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA