Ekonomia spanjolle vazhdoi rënien për tremujorin e shtatë radhazi midis janarit e marsit, treguan të dhënat e publikuara të martën nga Instituti Kombëtar Spanjoll i Statistikave.
Midis të dhënave më shqetësuese, përveç rënies së Prodhimit të Brendshëm Bruto me 0,5% në krahasim me periudhën tetor-dhjetor 2012, vërehej edhe një rënie e ndjeshme në fuqinë blerëse.
Duke llogaritur katër tremujorët e fundit, në periudhën prill 2012-mars 2013, ekonomia spanjolle ka regjistruar një rënie prej 2%, më e larta që prej vitit 2011, i cili ishte edhe viti kur u regjistrua recesioni më i thellë që prej vitit 1970.
Përballë këtyre të dhënave, Madridi u detyrua të ndryshonte pritshmëritë e tij për rritjen ekonomike, duke parashikuar tashmë një recesion në nivelin e 1,3%, nga 0,5% që ishte parashikuar më parë.
Në rastin më të mirë, Spanja parashikon që t’i rikthehet rritjes në vitin e ardhshëm.
Si pasojë e problemeve të thella ekonomike, që kanë rritur papunësinë në nivelin e 27% të krahut të punës dhe në mbi 50% midis të rinjve, protesta dhe greva të shumta janë shënuar së fundmi në të gjithë vendin.
Top Channel