Presidenti amerikan, Barack Obama premtoi një përpjekje të re për mbylljen e burgut famëkeq të Guantanamos në Kubë, ku ushtria amerikane mban të izoluar 166 persona që dyshohen si terroristë ose të lidhur me terrorizmin.
Obama tha nga Shtëpia e Bardhë se burgu është kundër vlerave dhe interesave të Shteteve të Bashkuara. Ai citoi disa vendime të gjykatave civile dhënë kundër personave të akuzuar për terrorizëm, për të justifikuar se sistemi gjyqësor civil është i përshtatshëm për to.
Në fushatën elektorale për mandatin e parë, mes premtimeve të Obamas ishte edhe mbyllja e Guantanamos. Por përpjekjet e presidentit u minuan nga Kongresi amerikan që bllokoi kërkesën e tij.
Këtë herë, Obama premtoi se përpjekja e tij do të shtrihet në bazë të gjërë konsultimesh me juristë e politikanë. Ai tha para gazetarëve se ka ngarkuar një grup zyrtarësh të rishikojnë operacionet në Guantanamo dhe shtoi se nuk është i habitur që atje ka probleme.
“Është joefikas, na lëndon ne dhe imazhin tonë në arenën ndërkombëtare, minon bashkëpunimin me aleatët tanë në luftën kundër terrorizmit, por është edhe një arsye më shumë për rritjen e ekstremizmit. Duhe të mbyllet”, tha Obama.
Presidenti amerikan paralajmëroi se nëse burgu i Guantanamos vetëm sa do të shtojë problemet për Shtetet e Bashkuara nëse nuk mbyllet.
Guantanamo është rikthyer në qendër të vëmendjes së politikës dhe opinionit publik amerikan pas grevës së urisë të më shuëm se 100 të burgosurve të cilët kundërshtojnë mbajtjen në kushte të vështira dhe pa afat në këtë burg.
Guantanamo konsiderohet si një burg ushtarak ku Shtetet e Bashkuara transferojnë të akuzuar për terrorizëm, të cilët pas sulmeve të 2001 me një vendim të administratës së ish-presidentit Bush, konsiderohen “luftëtarë armiq”.
Armët kimike në Siri
Obama: Kemi dijeni se janë përdorur, por nuk e dimë kur dhe nga kush
Sa i takon Sirisë, presidenti amerikan Barak Obama foli i qartë: “Kemi dijeni se armët kimike janë përdorur në Siri, por nuk e dimë kur dhe kush e ka bërë këtë”.
Ai nënvizoi se hetimi do të vazhdojë, sepse gjykimet e nxituara mund ta bëjnë më të vështirë mobilizimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Në çdo rast, presidenti amerikan i ka kërkuar prej një viti Pentagonit dhe Shërbimeve Sekrete të përgatiten për të vepruar në Siri.
Presidenti amerikan ripërsëriti se “Assad ka humbur besueshmërinë, ka vrarë njerëz të pafajshëm dhe duhet të lërë menjëherë pushtetin, duke i hapur udhë një zgjidhjeje politike”.
Top Channel