Shtetet e Bashkuara kanë përforcuar stafin mjekësor në Guantanamo, në përpjekje për t’u përballur me grevën e përhapur nga të burgosurit në kampin e paraburgimit.
Rreth 40 infermiere dhe specialistë të tjerë kanë mbërritur gjatë fundjavës, bëri të ditur zëdhënësi i kampit, Samuel House. Ai shtoi se 100 nga 166 të paraburgosurit gjenden tashmë në grevë urie, teksa 21 prej tyre janë ushqyer me forcë përmes një tubi.
Të burgosurit janë duke protestuar kundër burgimit të tyre për një afat të pacaktuar, ndërkohë që shumica e tyre mbahen pa patur akuza. Greva e urisë nisi në shkurt, në kampin amerikan në Kuba, dhe është përshkallëzuar me shpejtësi gjatë javëve të fundit.
Edhe pse të tilla veprime janë të shpeshta në Guantanamo, protesta e tanishme është një nga më të gjatat dhe më të përhapurat. Zyrtarë të Guantanamos kanë hedhur poshtë zërat se greva nisi, pasi disa kopje të Kuranit u keqpërdorën gjatë kërkimeve në qelitë e të burgosurve.
Dhuna u ndërpre në burg më 13 prill, pasi autoritetet i nxorrën të burgosurit jashtë qelive të përbashkëta, ku ata kishin survejimin e kamerave dhe dritare. Disa prej tyre përdorën “armë të improvizuara” dhe u përballën me disa raunde “pak a shumë vdekjeprurëse”, thanë zyrtarët e kampit, por asnjë i plagosur seriozisht nuk u raportua.
Afro 100 prej të burgosurve janë liruar nga akuzat dhe janë gati për t’u liruar, por mbeten në kamp për shkak të kufizimeve të imponuara nga Kongresi, si dhe nga shqetësimet për keqtrajtime të mundshme, nëse ata kthehen mbrapa në vendlindjet e tyre.
Kampi ushtarak u hap në 2002-shin, për të mbajtur të dyshuarit e kapur në operacionet kundër terrorizmit, menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA.
Top Channel