FBI, kontroll banesës së atentatorëve

30/04/2013 00:00

FBI ka marrë një seri provash nga shtëpia ku ka jetuar e veja e të dyshuarit për atentatin në Maratonën e Bostonit, Tamerlan Tsarnaev.

Katherine Russell, 24 vjeç, është parë të lërë shtëpinë e prindërve në Rod Ajlënd bashkë me avokatët e saj ditën e hënë.

Agjentët e FBI-së në shtëpinë e Russell morën kampione ADN-je, bëri të ditur një burim zyrtar për agjencinë “Reuters”, pasi gjurmë ADN-je të një gruaje u gjetën edhe në vendin e ngjarjes.

Hetuesit po kërkojnë për ndonjë provë që mund të lidhë më tej vëllezërit Tsarnaev me atentatin dhe për këtë kaluan disa orë duke kontrolluar shtëpinë e familjes në North Kingston.

Ndërkohë, avokatja e profilit të lartë Judy Clarke i është bashkuar mbrojtjes së Dzhokhar Tsarnaev, vëllai i Tamerlan Tsarnaev dhe i dyshuar si bashkautor i atentatit.

Tre persona mbetën të vrarë dhe mbi 260 të plagosur në shpërthimin e 15 prillit. Zonja Clarke njihet gjerësisht për aktivizimin e saj në çështje të profilit të lartë.

Së fundmi ajo punoi për mbrojtjen e Jared Loughner, që vrau gjashtë persona dhe plagosi rëndë politikanen Gabrielle Giffords, si dhe atentatorët Ted Kaczynski, i njohur si “Unabomber” dhe Eric Rudolph.

I riu Tsarnaev akuzohet për përdorim të armëve të shkatërrimit në masë në dy shpërthimet pranë vijës së finishit të Maratonës së Bostonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB