Papunësia në Eurozonë arriti një rekord të ri, ndërsa inflacioni preku nivelin më të ulët të tre viteve të fundit, duke rritur pritshmëritë e reduktimit të normës bazë të interesit nga Banka Qëndrore Europiane.
Papunësia regjistroi një rritje 0,1% në muajin mars, në krahasim me shkurtin, duke kapur nivelin e 12,1% të forcës aktive, në 17 vendet që përdorin monedhën e përbashkët euro.
Në total, 19,2 milionë shtetas të Eurozonës janë të paaftë të sigurojnë një punë, ndonëse e kërkojnë një të tillë.
Greqia dhe Spanja janë dy vendet me problemin më të thellë të papunësisë, me nivelin e saj në 27,2% dhe 26,7%.
Secili prej këtyre dy vendeve ka një nivel papunësie mbi 50%, përsa i përket papunësisë së të rinjve, në grupmoshën 18-25 vjeç.
Austria dhe Gjermania janë dy vendet më pak të prekura nga papunësia brenda Eurozonës, me 4,7% dhe 5,4% përkatësisht.
Ndërkohë, të dhëna paralele të Eurostatit treguan se inflacioni u reduktua në prill në 1,2%, niveli më i ulët i tre viteve të fundit.
Top Channel