Për herë të parë në vendin tonë është realizuar një studim mbi depresionin tek të moshuarit. Të dhënat e grumbulluara nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se 40% e personave të moshës 65-75 vjeç në Shqipëri vuajnë nga depresioni duke treguar se dhe kjo grupmoshë nuk mund t’i shpëtojë fenomenit.

Monitorimi nuk është zhvilluar vetëm në vendin tonë, por dhe në 5 qytete të ndryshme të botës si Kingston, Ontario (Kanada), St. Hyacinte (Kebek-Kanada), Natal (Brazil) dhe Manitales (Kolumbi). 400 të moshuar në këto qytete i janë nënshtruar pyetësorit duke përbërë gjithsej 2000 kampionë të rastësishëm, bazuar në regjistrat e shërbimeve shëndetësore primare. Të gjitha intervistat dhe matjet e grumbulluara janë kryer në ambientet e shtëpive duke shkuar aty ku të moshuarit shpenzojnë pjesën më të madhe të kohës.

Sipas studimit, dalja në pension, braktisja nga fëmijët apo dhe mungesa e aktivitetit fizik janë disa prej faktorëve që kanë ndikuar në këtë lloj çrregullimi mendor duke shtyrë moshën e tretë drejt depresionit. Ekspertët thonë se shkaqet mund të jenë të lidhura me sëmundje kronike më të shpeshta në këtë territor, por mund të jenë të lidhura edhe me probleme socio-ekonomike apo edhe me daljen në presion dhe mungesën e punësimit pas moshës 65 vjeç.

Studimi thotë se pjesa më e madhe e personave që shfaqin shenja depresioni, pasi janë pyetur për mënyrën se si e kanë kaluar fëmijërinë nga 0 deri në 15 vjeç, kanë raportuar jetë shumë të vështirë. Specialistët shtojnë se në Shqipëri risku për të pasur një depresion tek një person që ka kaluar fëmijëri të vështirë është pesë herë më i lartë krahasuar me atë që ka kaluar një fëmijëri normale.

Nga hulumtimi del se më të prekurit në vendin tonë janë ata të moshuar të cilët nuk jetojnë me fëmijët e tyre dhe që kanë kohë që nuk i takojnë. Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, krahasuar me vendet perëndimore, numri i të moshuarve të prekur nga depresioni është pothuajse 4 herë më i lartë, gjë që tregon një shifër alarmante.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA