Qindra, mijëra ton vajra të përdorura automjetesh, të cilat cilësohen si
mbetje të rrezikshme, hyjnë çdo vit në Shqipëri nga të paktën 366
shoqëri importi.

Subjektet duhet të kryejne riciklimin e plotë të tyre, para se ta hedhin në treg apo ta përdorin, por në Shqipëri asnjë prej tyre nuk e kryen procesin e riciklimit, pasi nuk kanë as staf dhe as teknologji.Drejtori i Kontrollit ne Ministrinë e Mjedisit, Alfred Deshati thekson se rrezikshmeria e ketyre mbetjeve eshte shume e larte, pasi perdorimi i tyre eshte i dyshimtë.

“Nuk disponojnë impiant për trajtim dhe riciklim të këtij vaji. Duke mos kryer trajtimin dhe riciklimin sic e thotë ligji, ta kthesh në gjendjen fillestare, normalisht ky vaj përfundon në drejtime të tjera, nëpër kaldaja ndoshta të furrave të bukës, përfundon nëpër pika karburanti, përfundon në firmat e bizneset e ndryshme që shtrojnë rrugë, duke bërë përzjerje nga më të ndryshme. Kemi ndryshim jo të destinacionit, por ky është keqpërdorimi i një mbetjeje kaq të rrezikshme, që normalisht që dëmton shëndetin”, thotë Deshati.

Një kilogram vaj i përdorur automjetesh kushton 30 deri në 40 lekë. Por ndërsa nuk riciklohet një pjesë e tij përzihet me karburante dhe shitet në mënyrë abuzive pronarëve të automjeve, duke siguruar një fitim pesë herë më të lartë. Djegia e këtyre vajrave si nga automjetet ashtu edhe nga furrat e bukës apo kaldajat, shkakton një ndotje shumë të rrezikshme në mjedis, pasi prodhon blozë toksike.

“Në rast se një mbetje kaq e rrezikshme do të përfundojë me një kanal uji, ose në një pjesë të tokës duke u groposur, ose duke u braktisur, aty shfaroset çdo gjë, çdo gjallesë. Kemi probleme të kësaj natyre qoftë me bimësinë edhe me shkatërrime të tjera. Këto biznese që merren me trajtimin e këtyre vajrave që është një mbetje kaq e rrezikshme mungon stafi i kualifikuar”, thotë Deshati.

Importuesit duhet te paraqesin te gjithe dokumentacionin qe verifikon, menyren e transportimit dhe si do te riciklohet. Keto dokumenta ne me te shumten e rasteve mungojne, duke bere qe te hedhim dyshime te forta ne  funksionimin e nje rrjeti korruptiv, qe ne themel ka fitimin dhe shkeljen e te gjitha rregullave ligjore

Top Channel