Karzai pranon paratë e CIA-s

29/04/2013 00:00

Presidenti afgan, Hamid Karzai pranoi se zyra e tij ka marrë pagesa sekrete nga Shtetet e Bashkuara, por tha se këto pagesa kanë qenë në shumë të vogla dhe të shpenzuara krejtësisht në mënyrë ligjore.

Karzai iu përgjigj kështu një artikulli të gazetës amerikane New York Times ku shkruhej se si agjentët e CIA-s kanë dorëzuar në zyrën e Karzait dhe ndihmësve të tij miliona dollarë në kesh. Dhjetra milionë dollarë, thotë NYT, u dorëzuan fshehurazi në një shkallë më të gjërë nga sa mendohet.

Presidenti Karzai tha se gjithë këto shuma parash janë përdorur për projekte të ndryshme, kryesisht humanitare si ndihma ndaj personave të sëmurë e të tjera.

“Paratë janë përdorur për qëllime të ndryshme, si operacionale, ndihmë të plagosurve, kujdes mjekësor për ta e të tjera si këto. Kjo ishte një ndihmë efikase dhe ne e vlerësojmë këtë”, deklaroi presidenti Karzai duke shtuar më pas se paratë e mbërritura kesh dorëzoheshin tek Këshilli Kombëtar i Sigurisë.

New York Times shkruan se me anë të çantave të mbushura me para, CIA kërkon influencën në Afganistan. Për më shumë se një dekadë, thotë ‘NYT’, tufa të tëra dollarësh amerikanë, të ngjeshur në valixhe, çanta shpine apo ndonjëherë sipas rastit, edhe qese të thjeshta plastike, janë lënë afërsisht çdo muaj në zyrat e presidentit Hamid Karzai.

“Ne i quajmë para fantazmë, thotë për gazetën prestigjoze Khalil Roman, zëvendësshef i stafit të Karzait në periudhën e viteve 2002-2005. “Fshehurazi vinin, fshehurazi iknin”, shton ai. CIA, që nuk ka bërë asnjë koment mbi këtë artikull, prej kohësh i ka mbështetur të afërmit dhe ndihmësit e ngushtë të Karzait.

Por “paratë fantazmë”, të dërguara direkt në zyrën e tij dëshmojnë pagesa të bëra në një shkalle shumë më të gjerë dhe me një ndikim goxha më të madh mbi qeverisjen e përditshme. Megjithatë, pak prova ka se ky investim ka mundur të prodhojë vërtet influencën e kërkuar nga CIA.

Në vend të kësaj, disa zyrtarë amerikanë thonë se paratë kanë shtuar korrupsionin e kanë fuqizuar akoma më shumë lordët e luftës duke minuar strategjinë e Uashingtonit për largimin nga Afganistani. Burimi më i madh i korrupsionit në këtë vend, citon ‘NYT’ një prej këtyre zyrtarëve që ka ruajtur anonimatin, janë vetë Shtetet e Bashkuara.

Amerika nuk është e vetmja që ka mbajtur presidentin afgan me para. Vetë Karzai e ka pranuar vite më parë se Irani i dërgonte rregullisht çanta me të holla ndihmësve të tij kryesorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA