Kryeministri i ri italian, Enrico Letta, shpalosi në Dhomën e Deputetëve programin e tij dhe kërkoi e mori votëbesimin.
Me 453 vota pro dhe 153 kundër, ai do të paraqitet të martën në Senat, dhoma tjetër e Parlamentit, që duhet t’i japë votëbesimin. Fjalimi i kreut të qeverisë u prit me duartrokitje të nxehta, nga pjesa më e madhe e deputetëve.
Programi i qeverisë së Enrico Letta-s mbështetet në disa pika themelore, që priteshin nga të dyja grupimet politike. Ai premtoi se do të heqë taksën mbi pronat e patundshme, duke filluar nga qershori, një pikë mbi të cilën pati ngulur këmbë shumë ish-kryeministri Silvio Berlusconi, gjatë fushatës së tij zgjedhore.
Letta bëri të ditur se do të anulojë financimin publik të partive, ai synon të ndryshojë ligjin zgjedhor; u angazhua se do të trajtojë seriozisht emergjencën e tregut të punës, se qeveria e tij do të shqyrtojë një mundësi për mbështetjen e familjeve me të ardhura minimale dhe se do të punojë për shkurtimin e shpenzimeve, duke filluar nga heqja e rrogës së dyfishtë, për deputetët që janë dhe ministra.
“Pa rritje dhe pa kohezion, Italia është e humbur”, u shpreh kryeministri, i cili caktoi si afat për të verifikuar punën e qeverisë, një periudhë prej 18 muajsh. Ai specifikoi se ky është shansi i fundit dhe se, megjithë situatën e rëndë, Europa mbetet fanari.
Më këtë deklaratë të fundit, kryeministri deshi të theksojë dhe një herë profilin europian të qeverisë së tij. Në fakt, që nga dita e martë, ai do të takojë në Berlin kancelaren gjermane, ndërsa ditën e enjte do të jetë në Bruksel për një sërë takimesh.
Top Channel