Numri i të burgosurve që i janë bashkuar grevës së urisë në burgun e Guantanamos vazhdon që të rritet.
Sipas organizatave të të drejtave të njeriut numri i të burgosurve që kanë ndërmarrë formën ekstreme të protestës është rreth 130. Por autoritetet amerikane thonë se 100 janë të burgosurit në grevë urie, ndërsa 20 të tjerë po ushqehen me forcë.
Të burgosurit në Guantanamo nisën grevën e urisë në muajin shkurt si formë proteste kundër kushteve të këqia dhe burgosjes pa afat. Ushqimi me detyrim është një metodë që ka ngjallur kritika, por shmang problemet për ushtarakët që drejtojnë burgun famëkeq në Kubë ku mbahen të dyshuarit për terrorizëm.
Nga 166 të burgosurit në Guantanamo vetëm 9 janë akuzuar dhe dënuar për krime që kanë lidhje me terrorizmin. Të burgosurit janë nga 23 vende të ndryshme të botës dhe prej kohësh organizata të të drejtave të njeriut kërkojnë lirimin e tyre.
Më shumë se gjysma e të burgosurve kanë marrë autorizimin për t’u liruar, por një vendim i Kongresit kufizon këto autorizime. 2/3 e atyre që duhet të lirohen janë nga Jemeni dhe administrata Obama ka ndaluar riatdhesimin e tyre për shkak të trazirave në vendin e gadishullit arab.
Top Channel