Obama, mbrëmje galà me gazetarët

28/04/2013 18:00

Presidentit amerikan Barak Obama nuk i mungon humori, por mbrëmja dedikuar gazetarëve, që raportojnë për Shtëpinë e Bardhë, do të kujtohet gjatë për shpotitë, që ai zgjodhi për veten, median dhe kritikët.

Evenimenti i përvitshëm organizohet në Shtëpinë e Bardhë. Krah tij ishte edhe zonja e parë, Mishel Obama, ndërsa të ftuar ishin edhe njerëz të famshëm të botës së artit.

“E di që republikanët po rendisin çfarë ndodhi në vitin 2012, por për një gjë ata të gjithë bien dakord, të bëjnë një punë më të mirë për të arritur minoritetet. Shikoni, më quani po të doni egoist, por po mendoj për një minoritet, nga i cili duhet ta nisin…”, u shpreh Obama.

Demokrati Barak Obama, dhe presidenti i parë afro-amerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara, rifitoi zgjedhjet e nëntorit i mbështetur kryesisht nga votat e minoriteteve, përfshirë njerëzit me ngjyrë dhe hispanikët.

Shakaja, që bëri pjesën më të madhe të qeshte me lot, ishte ajo për modelin e ri të flokëve të zonjës së parë, Mishel Obama. Askush s’e mendoi se pjesa, ku ai fliste për mandatin e dytë dhe energjitë e reja, do të shoqërohej në ekran me këto foto, ku ai huazonte baluket e së shoqes.

Tërhoqi vëmendjen, gjithashtu, edhe një pjesë e regjistruar me regjisorin Stiven Spilberg, i cili fitoi disa çmime “Oscar” me filmin “Lincoln”, ku presidenti aktronte për filmin e ardhshëm “Obama”.

Komiku dhe drejtuesi i “talk-shoë”-t, Konan O’Brajan, vuri në shënjestër të humorit të tij pikat e dobëta të republikanëve.

“Nëse në 1995 do të më thonit se në 2013 do të kishim një president afro-amerikan, ku në mes të emrit të tij gjendet Husein, i cili do të zgjidhej edhe për një mandat të dytë, në këtë ekonomi të ngadaltë; unë do t’i thoja; Oh, me siguri është përballur me Mitt Romney-n?”, tha O’Brajan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA