Një tregtar u qëllua për vdekje në afërsi të magazinave të tij, në tregun e shumicës së fruta-perimeve, në qytetin e Lushnjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 8:30 minuta, kur Dashamir Qyrku u gjet i plagosur rëndë me armë zjarri, në pjesën e qafës, dhe humbi jetën gjatë transportimit për në spital.
Viktima, një tregtar 40-vjeçar nga Shijaku, ushtronte aktivitetin e tij në Lushnje. Policia shoqëroi menjëherë një numër të madh dëshmitarësh okularë dhe, nga dëshmitë e tyre, identifikoi si të dyshuar për krimin një agjent privat taksash, Besnik Meçajn.
Informacionet e para bëjnë fjalë për një debat të ashpër verbal mes tregtarit me agjentin privat tatimor, që punonte për shoqërinë që administron tregun e Lushnjes.
Policia ende nuk e ka ndaluar agjentin, i cili mbetet i dyshuari i vetëm për këtë vrasje. Dëshmitarët thonë se debati nisi për çështje pagesash, por ende nuk ka një version zyrtar për këtë krim.
Policia tha se vazhdon hetimet për gjetjen e autorit, ndërsa ka ngritur postblloqe në qytet për kapjen e tij.
Fatkeqësisht, krimet kundër jetës nuk kanë qenë një fenomen i rrallë së fundmi dhe vetëm brenda ditës së premte, tre shtetas u vranë për shkaqe pronësie dhe hakmarrje në Tiranë, Tropojë e Lezhë.
Top Channel