Ka hyrë në ditën e tretë greva e urisë e përfaqësuesve të 14 familjeve,
të cilat u nxorën jashtë banesave nga përmbarimi privat në rrugën
“Margarita Tutulani” në kryeqytet.

Gjendja shëndetësore e grevistëve po vjen duke u rënduar, ndërkohë që autoambulanca ka shkruar 3 herë në ambientet e grevës. Mjeku Fatos Karaulli deklaroi për mediat se grevistët duhet të marrin mjekim të vazhdueshëm, ndërkohë që garantoi se ata do të mbahen nën mbikëqyrjen e bluzave të bardha.

Anëtarët e 14 familjeve, që u nxorën jashtë nga pallati i tyre, nga përmbarimi privat nisën grevën e urisë mesditën e së enjtes, rreth banesës së tyre në afërsi të shkollës “Petro Nini Luarasi”. Familjarët deklaruan se ishin të pashpresë dhe nuk kishin mënyrë tjetër për tu strehuar. Grevistët deklarojnë se do të qëndrojnë në këtë grevë, deri sa t’i jepet një zgjidhje problemit të tyre. Banorët kërkojnë që të ndërhyjë shteti dhe t’u japë një banesë, sepse nuk kanë as mundësinë për të marrë një kredi.

Ditën e djeshme, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u ka ofruar ndihmën e bashkisë për sistemimin e menjëhershëm në banesa me qira për tre muaj, derisa të ketë mundësi t’i sistemojë me 3 programet për strehim. Por banorët nuk kanë pranuar dhe janë shprehur të bindur të vijojnë grevën e urisë.

Top Channel