Siria: SHBA dhe Britania po manipulojnë provat

27/04/2013 01:45

Siria ka mohuar të ketë përdorur, apo qoftë edhe të posedojë, armë kimike, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë se po gënjejnë, duke ushtruar presion për përgatitje ofensive ndaj qeverisë së Damaskut.

Ministri sirian i Informacionit, Omran al-Zoubi, foli për “Russia TV” gjatë ditës së premte, duke hedhur poshtë deklaratën e zyrtarëve të SHBA-ve një ditë më parë, sipas së cilës ata kishin evidenca se gazi sarin është përdorur në Siri, në përqindje të ulët.

“Gjithçka, që ministri amerikan dhe qeveria britanike kanë thënë, është e pabazuar dhe e pabesueshme”, tha Al-Zoubi. “Kjo është një taktikë e re për të ushtruar më shumë presion politik dhe ekonomik ndaj Sirisë”.

Al-Zoubi tha se qeveria siriane ishte e para, që bëri thirrje për një hetim të një incidenti, në të cilën ajo deklaroi se armë kimike ishin përdorur nga “grupet terroriste”. Qeveria i etiketon vazhdimisht luftëtarët rebelë si terroristë.

Siria nuk ka armë kimike dhe nuk do t’i përdorte ato, nëse do t’i posedonte, tha ministri sirian. Amerikanët “duan të manipulojnë cështjen, për të lejuar cilindo që i ka përdorur ato armë të largohet, si dhe për të përsëritur shembullin e Irakut”, tha Al-Zoubi.

Pas një takimi të së premtes me mbretin Abdullah të Jordanisë, presidenti Barack Obama përsëriti “vlerësimet paraprake” të SHBA-ve, se “armë kimike janë përdorur ndaj popullsisë në Siri”.

Ai nuk bëri asnjë hap prapa nga deklarata e tij e mëparshme, se do të kishte një “ndryshim kursi”, sa i përket mënyrës se si bota e trajton Sirinë, nëse do të provohej përfundimisht se forcat e presidentit Bashar al-Assad kanë përdorur armë kimike ndaj popullsisë së tyre.

Deri atëherë, Obama nuk specifikoi se cfarë veprimesh mund të ndërmarrë SHBA, nëse gjërat do të përcaktohet përfundimisht. Për momentin, ai tha se SHBA-të po planifikojnë të vazhdojnë “hetimin e tyre të fuqishëm” dhe të punojnë së bashku me aleatët në Lindjen e Mesme.

“Ne do të veprojmë me maturi, – tha presidenti, – por, mendoj se të gjithë ne, jo vetëm në SHBA por kudo në botë, e dimë se nuk mund të qëndrojmë në heshtje dhe të lejojmë përdorimin sistematik të armëve kimike ndaj popullsisë civile”.

Izraeli, nga ana e tij, ka kërkuar nga SHBA të marrin rolin e liderit në gjetjen e një përgjigjeje për evidencat e armëve kimike.

“Mendoj se SHBA-të, si lider të botës perëndimore, mund të udhëheqin përpjekjet me partnerët tanë në Europë, dhe Izraeli të ndërmarrë veprime ndaj asaj, që po shohim të ndodhë sot në Siri”, tha zëvendës ministri izraelit i Mbrojtjes, Danny Danon, ditën e premte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA