Pussy Riot, mohohet lirimi me kusht për Tolokonnikova-n

27/04/2013 03:50

Një gjykatë në veri-lindje të Rusisë ka mohuar lirimin me kusht për një nga anëtaret e burgosura të grupit Pussy Riot.

Nadezhda Tolokonnikova, e cila po shlyen dënimin prej 2 vitesh, ka fituar ligjshmërinë për një lirim të parakohshëm nga një koloni penale.

Ajo dhe dy anëtaret e tjera të Pussy Riot u dënuan në gusht për hooliganizëm, të motivuar nga urrejtja fetare.

Ato u arrestuan pasi performuan një “lutje të turpshme” me dantella të tejdukshme, në shenjë proteste ndaj presidentit Vladimir Putin, në katedralen kryesore të Moskës.

Një gjykatë apeli pezulloi dënimin e një prej të dënuarave, Yekaterina Samutsevich në tetor, por pranoi kushtet për burgim të dy anëtareve të tjera, Tolokonnikova dhe Maria Alyokhin.

Të premten, Tolokonnikova ishte e pranishme në një seancë për lirim me kusht, në qytetin Zubova Polyana, duke mbajtur të veshur një uniformë burgu me ngjyrë jeshile të errët dhe një shall të bardhë.

“Kam kaluar mjaftueshëm kohë në këtë kamp burgimi. E kam studiuar mjaftueshëm atë. 6 muaj besoj se janë mjaftueshëm”, tha ajo për gjykatësit, sipas agjencisë ligjore të lajmeve, Rapsi.

Mbrojtësi i saj ligjor argumentoi gjithashtu se vajza 5-vjecare e Tolokonnikova, Gera, kishte nevojë për nënën e saj dhe prezantoi një apelim për lirimin e saj, të nënshkruar nga disa aktivistë të të drejtave të njeriut.

Kolonia penale kundërshtoi kërkesën e saj, duke thënë se ajo kishte dështuar të pranonte “pendimin” dhe ishte qortuar për shkak se nuk kishte përshëndetur një zyrtar të burgut, gjatë kohës që ajo ishte në spital dhe kishte refuzuar të shëtiste në një burg të Moskës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA