Vende pune dhe pagesa të majme, si Rusia “josh” afrikanët për t’iu bashkuar radhëve ruse në luftën ndaj Ukrainës, të paktën 55 ganezë kanë humbur jetën
Nëntë persona janë vrarë në shtetin Meksikan të Gerreros, në dy masakra të ndryshme që u atribuohen karteleve të drogës, dhuna e të cilëve nuk njeh kufij.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, pesë nga personat janë vrarë në lokalitetin e Akapulkos, i konsideruar dikur si një parajsë turistike, ndërsa së fundmi i kthyer në një vatër droge.
Ndërkohë, katër të tjerët janë gjetur të masakruar në një autostradë, pranë lokalitetit të njohur si Autostopi i Diellit, saktësojnë më tej burimet.
Lufta e drogës në Meksikë është ashpërsuar nga viti 2006, kur presidenti i atëhershëm Felipe Calderon futi ushtrinë kundër karteleve.
Që atëherë llogaritet të jenë vrarë mbi 50 mijë vetë, bilanc ky që ka bërë që shteti i madh latin të krahasohet me Irakun apo Afganistanin.
Gjashtë janë kartelet më të mëdha që kontrollojnë kalimin tranzit të drogës nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë: Sinaloa, Los Zetas, Tihuana, Karteli i Gjirit, Beltran Leyva dhe La Familia.
Ndërsa personi më i kërkuar nga autoritetet vendase por edhe ato amerikane e evropiane është Joachim “El Chapo” Guzman, i konsideruar si trafikanti i drogës numër 1 në botë.
Revista prestigjoze “Forbes” e futi para pak kohësh Guzman në listën e personave më të pasur të planetit, falë fitimeve marramendëse të akumuluara nga narkotrafiku.
Top Channel