Avionë të telekomanduar dhe të armatosur kanë operuar në Afganistan, të komanduar për herë të parë në distancë nga Britania e Madhe, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi.
Dikasteri zyrtar ka bërë të ditur se dronët e tipit “Reaper” kanë fluturuar në kuadër të misioneve të menaxhuara nga baza e forcave ajrore në Uadington.
Në këtë lokalitet po mbahet edhe një protestë kundër përdorimit të këtyre mjeteve. MD ka deklaruar se respekton të drejtat e qytetarëve për të protestuar në rrugë paqësore.
Dronët përdoren kryesisht për mbikëqyrje, por ata mund të përdorin armë nëse marrin komandën nga qendra që ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar.
Qytetarët që kundërshtojnë përdorimin e tyre thonë se, “ndryshimi i kontrollit të fluturimeve në Britani përbën një përhapje kritike të programit kombëtar për dronët”.
Ata i bëjnë thirrje qeverisë që të heqë dorë nga përdorimi i tyre, me pretendimin se kjo gjë u lehtëson politikanëve kryerjen e sulmeve ushtarake, që kanë shkaktuar viktima në radhët e civilëve.
Por Ministria e Mbrojtjes ka mbrojtur përdorimin e tyre në Afganistan, duke thënë se dronët u kanë shpëtuar jetën shumë ushtarakëve dhe civilëve.
Baza ajrore ku janë dislokuar fizikisht 10 avionët e tipit “Reaper” ndodhet në Afganistan për të mbështetur trupat britanike dhe ato të koalicionit. Mjetet fluturuese janë të pajisura me bomba të tipit 500Ib dhe raketa me zjarr për të goditur rebelët.
Top Channel