Ekipet e shpëtimit, të cilët po mundohen të krijojnë tunele mes rrënojave të ndërtesës 8-katëshe, që u shemb ditën e mërkurë në Bangladesh, zbuluan edhe 50 të mbijetuar të tjerë në atë që kishte mbetur nga kati i 3-të i ndërtesës, sipas një zyrtari.
Zëvendës drejtori i Shërbimit të Zjarrëfikësve të Bangladeshit, Mizamur Rahman, tha se ekipet e shpëtimit shpresonin t’i lironin të mbijetuarit brenda pak orësh. Në përpjekje e sipër për shpëtimin e tyre, ata ofruan edhe ushqime e shishe me ujë ndaj të bllokuarve në rrënoja.
Të premten u shpëtua gjithashtu edhe një grua, e cila i dha jetë një fëmije nën rrënoja, së bashku me foshnjën e saj, deklaroi një zyrtar i shërbimit zjarrëfikës për agjencinë shtetërore të lajmeve, Bangladesh Sangbad Sangstha (BSS). Më herët, agjencia raportoi për dy gra, që kishin lindur nën rrënoja, por nuk dhanë shpjegime të hollësishme.
Lajmi për të mbijetuarit dhe ardhjen në jetë të një foshnjeje erdhi në prag të afatit prej 72 orësh, pas të cilit operacionet do të ndryshonin nga shpëtimi në rikuperimi, duke qenë se me qindra njerëz të tjerë mendohen të jenë të bllokuar nën rrënoja.
Zyrtarët, që po merren me koordinimin e operacioneve, thanë se përpjekjet për shpëtim do të përfundojnë mëngjesin e së shtunës, e më pas pajisjet e rënda do të përdoren për të rikuperuar trupat e mbetur, si dhe për të pastruar rrënojat.
Top Channel