Autoritetet në Venezuelë kanë ndaluar një shtetas nga Shtetet e Bashkuara, të cilin e akuzojnë të jetë një agjent i CIA-s.
Ministri i Brendshëm, Miguel Rodriguez Torres, tha se Timothy Hallet Tracy shpërndau fonde për studentët pjesëmarrës në protestat e fundit, të cilat shpërthyen pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale në fillim të muajit prill.
Ai tha se Tracy po përpiqej të destabilizonte vendin, me qëllimin për të nisur një luftë civile. Shtetet e Bashkuara nuk kanë reaguar ende, por familja e Tracy-t tha se ai është i pafajshëm.
Sipas tyre, ai kishte qenë në Venezuelë për të bërë një dokumentar, siç raporton agjencia e lajmeve Associated Press.
Zgjedhjet presidenciale u fituan nga më pak se 2% diferencë votash, nga Nicolas Maduro, i cili pasoi ish-udhëheqësin e tij, Hugo Chavez, pas vdekjes së këtij të fundit në mars nga një sëmundje tumoriale.
Por, opozita venezueliane ka akuzuar për parregullsi në zgjedhje, teksa kandidati humbës Henrique Capriles ka kërkuar një rinumërim të plotë të votave.
9 persona kanë vdekur gjatë protestave pas-zgjedhore, ndërkohë që si qeveria edhe opozita janë duke planifikuar të tjera protesta më 1 maj.
Top Channel