Skadon afati për bisedime midis dy Koreve

26/04/2013 08:55

Ndërsa afati për bisedime skadoi mëngjesin e së premtes, Korea e Veriut nuk i dha asnjë përgjigje kërkesës së jugut për të mbajtur takime të nivelit të lartë me qëllim rihapjen e kompleksit të përbashkët industrial të Kaesongut.

Ditën e enjte, Seuli dha 24 orë kohë për të rënë dakord mbi mbajtjen e takimit, ndërsa kërcënoi që në rast të kundërt, fqinjët komunistë do të përballeshin me “pasoja të rënda”.

Megjithatë, nuk është e qartë se cilat mund të jenë këto pasoja.

Agjensia e Lajmeve e Koresë së Jugut “Yonhap” informoi gjatë mëngjesit se një mbledhje e këshillit të sigurisë është thirrur dhe në orët në vazhdim do të përcaktohet se çfarë qëndrimi do të mbahet.

Aktualisht, tensioni në gadishull është në nivele të paprecedenta pas vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare nga Këshillit i Sigurimit ndaj Koresë së Veriut, për lëshimin e paautorizuar dhe antiligjor të një sateliti nëpërmjet një rreze të gjatë veprimi në dhjetor e një testi bërthamor në shkurt.

Këtyre sanksioneve Peniani iu përgjigj duke anulluar armëpushimin me Korenë e Jugut dhe duke kërcënuar fqinjët, Japoninë e bazat amerikane në Azi me “shfarrosje bërthamore”.

Midis veprimeve të njëanshme që ndërmori regjimi diktatorial në veri ishte edhe mbyllja e kompleksit, që mban në punë 53 mijë koreanoveriorë dhe sjell përfitime të rëndësishme për të dy shtetet.

Një zonë industriale në anën koreanoveriore të kufirit të përbashkët, ajo e Kaesongut i ofron shumë kompanive të jugut që të përdorin krahun tejet të lirë të punës në vendin komunist, ndërsa Koresë së Veriut i shërben si një burim i unik i grumbullimit të valutës së huaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA