Dy të dyshuarit për sulmet në Maratonën e Bostonit kishin në plan ta shpërthenin në “Times Square” pjesën e eksplozivëve që u kishin mbetur.
Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Michael Bloomberg ka përcjellë për median atë që, sipas tij, ishte rrëfimi i 19-vjeçarit Dzhokar Tsarnaev për Byronë Federale të Hetimit.
“Jemi informuar nga FBI-ja se, i dyshuari i mbijetuar i sulmeve të Bostonit ka rrëfyer që qyteti i New York-ut ishte i dyti në listën e shënjestrave të tyre. 19-vjeçari dhe i vëllai kishin ndërmend të vinin në New York e të vendosnin eksplozivë në ‘Times Square’”, tha Michael Bloomberg, kryebashkiak i New York.
Dy vëllezërit, sipas autoriteve, kishin ndërmend ta vinin në jetë këtë plan, pikërisht mbrëmjen e së enjtes, kur rrëmbyen një makinë dhe drejtuesin e saj, në Watertown. Një nga arsyet, përse vendosën të hiqnin dorë, ishte fakti që, vetëm pas grabitjes, vunë re se makina kishte shumë pak benzinë dhe i kërkuan shoferit të ndalonte në një pikë karburanti.
Atje, personi i marrë peng mundi të largohej e të njoftonte policinë. Bloomberg i lavdëroi forcat e rendi në Massachusestts, për punën e bërë në ndalimin e të dyshuarve, ndërsa theksoi edhe një herë se zyrtarët e dinë fare mirë, që ata e kishin aftësinë t’i ndërmerrnin këto sulme.
Pas 16 orësh marrje në pyetje, Tsarnaev rreshti së përgjigjuri e vendosi të flasë sërish, vetëm në prani të një avokati.
Top Channel