OKB, KS dërgon forca paqeruajtëse në Mali

26/04/2013 04:15

Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi ditën e enjte forcat paqeruajtëse prej 12 mijë e 600 vetësh në Mali, të cilët autorizohen “të përdorin të gjitha format e mundshme” për të mbrojtur civilët dhe artifaktet kulturore.

“E dimë se do të jetë një mjedis tepër i paqëndrueshëm”, tha Herve Ladsous, nënsekretar i OKB-së për operacionet paqeruajtëse.

Rezoluta u propozua nga Franca, e cila dislokoi 4000 trupa në Mali gjatë muajit janar, për të larguar militantët islamikë, të cilët u përpoqën të merrnin kontrollin e shtetit.

Forcat paqeruajtëse, të njohura si Misioni i Integruar për Stabilizim Multidimensional në Mali, do të marrin detyrën më 1 korrik dhe përfshijnë gjithashtu rreth 6000 trupa nga Çadi e kombet e Afrikës Perëndimore, të cilët janë duke u përpjekur për sigurinë në vend, bazuar mbi rezolutën e adoptuar nga Këshilli i Sigurisë.

“Ky nuk është një mision përforcimi. Nuk është as një operacion antiterrorist”, tha Ladsous. “Misioni – tha ai – do të ndihmojë autoritetet maliane të rikthejnë rendin kushtetues dhe qeverinë. Zgjedhjet janë parashikuar për t’u mbajtur në korrik”.

Ekstremistët islamikë të lidhur me al-Qaeda-n pushtuan një pjesë të madhe të Malit verior, vitin e kaluar, duke përfituar nga situata kaotike pas grushtit të shtetit në mars 2012.

Franca ndërmori sulme ushtarake këtë vit, pasi militantët nisën të zbrisnin në pjesën jugore të vendit. Militantët ndaluan muzikën, duhanpirjen, pirjen e alkoolit dhe shikimin e sporteve në televizion, si dhe shkatërruan varret dhe faltoret historike të rajonit.

Liderët botërorë u frikësuan se militantët do të mund ta kthenin zonën një një enklavë terroriste. Rezoluta e Këshillit të Sigurisë parashikon që forcat paqeruajtëse të qëndrojnë në detyrë për 12 muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA