Përhapja në rritje dhe vdekshmëria e lartë nga kanceri në vendet e Amerikës së Jugut është shndërruar në një problem serioz që shqetëson mjekësinë ndërkombëtare, informoi të premten revista shkencore “Lancet Oncology”.
Rastet e diagnostikimit me tumore në vendet latine janë më të ulta se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë, por vdekshmëria mbetet shumë më e lartë.
Rritja e faktorëve të rrezikut të prekjes nga sëmundja, aksesi i kufizuar i kurave mjekësore dhe diagonostikimi i vonë i sëmundjes janë arsyet kryesore që kanë shkaktuar këtë pabarazi.
Sipas studimit, ndërsa jetëgjatësia është rritur në dekadat e fundit në të dhjetë shtetet dhe tre territoret e Amerikës së Jugut, rastet e kancerit janë shtuar në mënyrë proporcionale dhe shumë shtete e kanë pasur të pamundur të përballojnë ritmin e shtuar.
Amerika e Jugut ka pasur ndër nivelet më të ulta në botë të prekjes nga sëmundjet tumorale në shekullin e XX, por sipas revistës, rritja ekonomike po bën që shtetasit e këtyre vendeve të “përshtasin” zakonet më të këqija të vendeve të zhvilluara.
Si rrjedhojë, gjithmonë e më shumë shtetas të Amerikës së Jugut po zhvillojnë jetë sedentare, po hanë në mënyrëtë pashëndetshme, konsumojnë alkool apo duhan.
Aktualisht, mesatarja e vdekshmërisë nga tumori në kontinent është 13 vdekje në 22 raste kanceri të diagnostikuar, krahasuar me 13 vdekje për 30 raste në Europë dhe 13 vdekje për 37 raste në SHBA.
Top Channel