Itali, Berlusconi mbështet Letta-n

26/04/2013 00:00

Silvio Berlusconi sheh me optimizëm përpjekjet e të mandatuarit të presidentit Napolitano, Enrico Letta për të formuar kabinetin e ri qeveritar.

Ish-kryeministri italian mohoi zërat për një pjesëmarrje në kabinetin e Letta-s. “Mua më propozuan, por nuk kam dëshirë të jem në kabinetin qeveritar. Duhen emra të rinj dhe gra”, tha ai në një intervistë për Tgcom.

Për PDL deri më tani gjërat janë duke ecur mirë, shtoi “Kavaljeri”, dhe në bisedimet me PD nuk po flitet për emra të vecantë, por për reformat dhe punët që duhen ndërmarrë nga qeveria e re.

Zv.sekretari i PD-së, Enrico Letta u mandatua nga Napolitano për formimin e qeverisë së re. Ai gëzon mbështetjen e së majtës (edhe pse me rezerva) dhe të djathtëve të Berlusconit. Emrat e propozuar prej tij për ministra pritet të publikohen jo më herët se sa ditë e shtunë.

Në varësi të emrave pritet edhe mbështetja që kabineti i propozuar do të sigurojë në Dhomën e Ulët dhe në Senatin e parlamentit italian, megjithëse mediat italiane nuk parashikojnë surpriza. Sipas këtyre të fundit, me mbështetjen e PDL dhe PD Letta do ta ketë të lehtë votëbesimin.

Zgjedhjet e 24 dhe 25 shkurtit në Itali nxorrën si forcë të parë të majtët e PD-së, që siguroi votat e mjaftueshme në Dhomën e Ulët, por jo në Senat. Vetë kreu i PD-së, Bersani u mundua të shmangë një aleancë me Berlusconi-n, por pas refuzimit të Lëvizjes me 5 Yje të Beppe Grillo-s për mbështetje, mbeten vetëm dy zgjidhje, ose qeveri me Berlusconi-n ose zgjedhje të reja.

Ideja e zgjedhjeve të reja, përvec kundërshtarëve brenda klasës politike italiane, hasi rezistencë edhe në Bruksel. Vendet e Bashkimit Europian disa herë bënë thirrje se Italia nuk është në luksin e organizimit të zgjedhjeve të tjera dhe se vendit i duhet sa më parë qeveria për të tejkaluar përfundimisht krizën  financiare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA