Venezuelë, tensionohet situata

25/04/2013 00:00

Kandidati i opozitës për president në Venezuelë, Henrique Capriles ka
kërcënuar se do të ndërmarrë veprime lidhur me votat që ai pretendon se i
janë vjedhur nga rivali i tij politik Nicolas Maduro.

Zoti Capriles kërkoi detaje të auditimit të votave, të cilin e mori përsipër javën e kaluar Këshilli Kombëtar Elektoral.

Por në mungesë të të dhënave nga ky proçes, kryetari i opozitës deklaroi se i ka lënë kohë institucionit deri të enjten. Megjithatë, ai nuk saktësoi se çfarë aksionesh do të ndërmarrë.

Maduro fitoi zgjedhjet e 14 prillit me më pak se dy përqindje pikë. Ai u betua si president javën e kaluar, duke pasuar Hugo Chavez, që vdiq në muajin mars nga kanceri.

Por opozita kontestoi rezultatin dhe tensionet në vendin e ndarë kanë arritur kulmin, me qeverinë që akuzon opozitën se po përpiqet të realizojë një grusht shtetit dhe anasjelltas.

Nëntë persona humbën jetën në protestat post-zgjedhore që u zhvilluan më herët gjatë muajit në vend dhe si qeveria ashtu edhe opozita po planifikojnë protesta të reja për më 1 maj.

Zoti Capriles thotë se votimi u shoqërua me mijëra parregullësi, si dhe frikësim të votuesve dhe ka kërkuar një rinumërim tërësor të votave.

Këshilli Kombëtar Elektoral ofroi një auditim elektronik javën e kaluar e që do të niste nga puna këtë javë, por ai thotë se sido që të jetë, fitorja e zotit Maduro është e pakthyeshme.

Deri më sot KKE nuk ka dhënë ndonjë detaj të auditimit dhe të mërkurën zoti Capriles tha se do të priste deri të enjten. “Ne nuk do të pranojmë një auditim qesharak. Është koha të bëhemi seriozë”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA