Rama, me studentët e ekselencës

25/04/2013 00:00

Gjatë një takimi me studentë të ekselencës në Universitetin e Tiranës, kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, tha se, pas 23 qershorit, sistemi i vlerësimit do të përcaktohet vetëm nga konkurrenca dhe merita.

Pas pyetjes së studentëve nëse a e ka bllokuar opozita integrimin, Rama u shpreh se përgjegjësit e vërtetë në qeveri nuk mund t’ia përveshin këtë opozitës.

“Shqipërinë e ka vrarë politika, shpesh herë, por të thuash që politikanët janë njësoj dhe se i përkasin të njëjtës specie vrasësish, nuk është e vërtetë. Tani vijmë te bllokimi. Është term propagandistik. Bllokim integrimi nuk ka pasur. Procesi i integrimit në BE është një proces, që lidhet me shumë standarde. Kjo nuk ndodh, sepse zgjedhjet vidhen. Nga zgjedhje të vjedhura burojnë pushtete që nuk kanë legjitimitet, por që kanë marrë votën e popullit, edhe pse populli nuk ua ka dhënë. Pak pyesin për popullin, por duan të bëjnë punët e tyre. Sot, Shqipëria a e ka një pushtet gjyqësor të pavarur, siç e ka çdo vend i BE? Ky pushtet ka dhënë prova të mjaftueshme, që në Shqipëri mund të luftohet, ajo që quhet, kultura e pandëshkueshmërisë?”, është shprehur Rama.

Në interesin e studentëve të ekselencës u kërkua prej shefit të opozitës të mësonin se ku bazohej PS, se vendi është i përfshire nga kriza.

“Që Shqipëria është në krizë, kjo besoj është e prekshme nga të gjithë, sepse po të mos ishte në krizë, nuk do të kishim rreth 150 mln euro në librat e veresisë së ushqimoreve. Familjarë që shkojnë në ushqimore dhe, për të mbajtur frymën gjallë, shkruajnë emrin të marrin diçka për të ngrënë, sepse s’kanë parà. Kemi ardhur në kushtet, kur shitëset në furrat e bukës të dëshmojnë, se njerëzit marrin bukën me riska, për shkak se nuk kanë mundësi të blejnë as gjysmë buke, në raste të caktuara. Që ka apo s’ka krizë, për këtë duhet të pyeten bizneset që, nëse kanë bërë punë publike, a i kanë marrë paratë, dhe, nëse ka parà, pse nuk i marrin. Ne sot kemi një defiçit tregtar, që nuk e ka asnjë vend. Unë besoj se ne duhet të ndryshojmë modelin. Që ne jemi në kushte dramatike, që gjendja ekonomike është shumë më e rëndë se sa thuhet në shifrat e manipuluara, që papunësia është mbi 1 milionë njerëz, me atë koncept që ka për të papunin në një vend europian, jo me konceptin që kemi ne, që e imponon qeveria, që kush është në fshat është në punë. Punësimin real. Jo me logjikën, që le të rritet papunësia, sepse ne shifrat i rregullojmë. E fikën katër ditë uebsajtin e INSTAT dhe kur e rihapën ishte rritur shifra e punësimit. Po kështu mund të bëhet edhe zero papunësia. Por, në realitet është tjetër gjë”, tha Rama.

Top Channel