Dy vjedhës serialë automjetesh janë arrestuar në flagrancë nga shërbimet
e Komisariatit nr.4. Të rinjtë janë kapur duke marrë një çantë në
mjetin “Toyota”, me targë AA 139 CB. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Niko
Avrami”, pranë shkollës “Ramazan Jarani” në Tiranë.
Burimet zyrtare të policisë thonë se në pranga janë vënë Arion Gjergo, 26 vjeç, dhe Elton Meta, 28 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje. Nga hetimet në drejtim të tyre, u arrit në konkluzionin se dy të dyshuarit janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Mësohet se ndaj tyre janë dokumentuar rreth 6 grabitje makinash, duke marrë prej tyre sende me vlerë dhe para. Gjergo dhe Meta vepronin si një grup i vetëm. Ata gjurmonin mjetet e parkuara në rrugët dytësore të Tiranës, ku nuk kishte shumë kalimtarë. Me anë të thyerjeve të xhamave të makinave, autorët e krimit vidhnin prej andej, dokumentet e mjetit, kasetofonë makinash, celularë, çanta, e mjaft sende të tjera me vlerë.
“Fati” i ka ndihmuar në grabitjen e një makine tip “Peugot’, në Rrugën e Dibrës. Pasi i kanë thyer xhamin e automjetit, ata kanë vjedhur shumën prej 1200 eurosh, 3600 lekë, një telefon, kartën e identitetit dhe kartën e bankës. Ndërsa më datë 4 mars të këtij viti, në rrugën “Thanas Ziko”, ata kanë vjedhur kasetofonin e makinës, të një mediaje private. Pre e sulmit ka rënë edhe makina në pronësi të USAID-it, prej së cilës kanë vjedhur një aparat fotografik. Pas grabitjes ata i shisnin sendet vjedhura në tregun e zi, me një çmim qesharak dhe paratë i ndanin me njëri-tjetrin, në mënyrë të barabartë.
Denoncimet ndaj tyre ishin shtuar, por policia nuk kishte arritur që t’i identifikonte për muaj të tërë, ndonëse ata linin gjurmë gishtërinjsh në vendin e ngjarjes. Arrestimi i tyre u bë vetëm pasi ata u kapën në flagrancë, duke dhunuar një tjetër automjet, brenda të cilit ndodhej një çantë.
Top Channel