
Eurodeputetja Doris Pack i është shtuar listës së kritikëve të
zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së nga mazhoranca e drejtuar nga
Kryeministri Sali Berisha.
Në një intervistë për Top Channel, Pack vlerëson se kjo lëvizje ishte, së paku, e panevojshme; se me ndihmën e ndërkombëtarëve KQZ duhet “shëruar”, siç shprehet ajo, jo vetëm për të garantuar pavarësinë e këtij institucioni, por edhe për të hequr ankthin e zgjedhjeve jokorrekte.
Doris Pack: Pikë së pari ajo që duhet të shohim ne është që ky organ të jetë i pavarur. Nuk ka rëndësi se si është votuar në të kaluarën dhe me cilën mazhorancë është votuar pasi anëtarët votohen për disa vite. Dhe për mua ishte, së paku e panevojshme, që të ndryshohej Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sepse ishte një organ i pavarur dhe duhet të jetë i tillë.
Top Channel: Ju keni këshilluar, apo mbrojtur në momente të vështira Kryeministrin Berisha. Cila është këshilla juaj për të dhe si mund të ndryshohet kjo situatë?
Doris Pack: Së pari unë nuk i jap kurrë këshilla ndonjë Kryeministri, qoftë në Shqipëri apo në një vend tjetër. Unë jap përgjigje, nëse pyetem për ndonjë gjë dhe askush nuk më ka pyetur kësaj here. Pra po them atë që doja unë të thoja. Nëse do të kisha qenë unë në pushtet, nuk do ta kisha bërë një gjë të tillë, pasi kjo ishte e panevojshme dhe po errëson Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Unë shpresoj që ky Komision të “shërohet”.
Top Channel: A mendoni se mund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme më këtë lloj KQZ-je?
Doris Pack: Shpresoj që kjo çështje e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të “shërohet”, në një mënyrë apo në një tjetër, ndoshta nëpërmjet ndërkombëtarëve që jetojnë në Shqipëri, duke ndihmuar qeverinë dhe opozitën, si gjithnjë, për të gjetur një rrugëdalje nga qorrsokaku. Pra unë shpresoj se ata do t’i ndihmojnë ta rregullojnë këtë gjë.
Pergatiti ERNEST BUNGURI
Top Channel