Organizatorët: Takimi pa incidente

25/04/2013 00:00

Bashkëorganizator i forumit me diplomatët në Akademinë Diplomatike Vjeneze, ku mori pjesë Edi Rama, ishte edhe “Instituti Reener”.

Për të hedhur më shumë dritë rreth incidentit, të pretenduar nga Ministria e Jashtme shqiptare, mes kreut të opozitës, Edi Rama, dhe diplomatit Egin Ceka, Top Channel kërkoi një prononcim nga Marchl Gerhard, shef i seksionit për Europën në “Institutin Reener”.

Kjo ishte përgjigja përmes postës elektronike.

“I gjithë forumi dhe dialogu u zhvilluan qetësisht dhe në mënyrë paqësore. Ne mund t’ju themi se nuk kemi asnjë dijeni rreth ndonjë debati apo incidenti të ndodhur pas aktivitetit tonë. Për herë të pare, ne u përballëm me këtë çështje pasditen e sotme, kur u informuam për lamin e dhënë nga Shqipëria”.

Ndërsa Fate Velaj, një tjetër bashkëorganizator i akvititetit, në një intervistë telefonike nga Vjena, shpjegon se çfarë ndodhi pasi aktiviteti kishte përfunduar.

“Zoti Ceka afrohet te zoti Rama dhe i thotë ‘Çfarë keni ju me ambasadat, çfarë keni me mua, që më trajtoni nëpër debate, nëpër shkrime, për nepotizëm apo diçka të tillë?’. Zoti Rama i tha ‘Nuk të njoh se kush je dhe nuk është vendi këtu. Po të kishe pyetje, mund ta kishe bërë pyetjen’. Ai ndërhyri përsëri, duke ofenduar. Rama i tha ‘Dëgjo djalë, unë kam ardhur për të tjera gjëra këtu dhe nuk është vendi, që unë të bisedoj për të tilla gjëra. Nuk të njoh fare’. Ai ofendoi përsëri në atë mënyrë, ndërkohë që njerëzit po iknin. Ky iku me dikë tjetër. Rama iku dhe takoi shqiptarët, që kishin ardhur për atë. Fakti që Akademia Diplomatike, që mbante rendin atje, që kishte punonjësit e saj në salla, nuk pa gjë dhe nuk dëgjoi gjë, atëherë, siç i themi ne në gjermanisht, “Paç fat” në këtë sipërmarrje”, deklaroi Fate Velaj.

Rama: U ngrit një valë mbi hiçin

“Pas 23 qershorit do i japim fund nepotizmit në diplomaci”

Mbrëmjen e së enjtes, gjatë një takimi me studentët, Edi Rama foli edhe për incidentin e pretenduar nga mazhoranca, mes tij dhe diplomatit Ceka.

“Është për të ardhur keq dhe për të mëshiruar këtë gjendje, në të cilën ndodhet ky pushtet, kjo qeveri, ky kryeministër, që angazhohen në një batërdi në mes të parlamentit, për të ngritur një valë mbi hiçin, mbi diçka që duhet rregulluar dhe do ta rregullojmë patjetër pas 23 qershorit. Unë zotohem se, kushdo që do të jetë deputet apo ministër, të harrojë se do çojë djalë, vajzë, teze, hallë, dajë e deri te kushëriri i tretë, te një Ambasadë që përfaqëson Republikën e Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Top Channel