Korea e Jugut propozoi diskutime formale me fqinjët veriore, me synim rifillimin e punës në kompleksin e përbashkët industrial të Kaesongut.
Zëdhënësi i Ministrisë së Ribashkimit, Kim Hyung-suk, paralajmëroi ditën e enjte për “rrjedhjoja të rënda”, nëse Peniani nuk do të ishte dakord të niste bisedimet, që njëkohësisht do të shërbejnë për të ulur tensionin e arritur në një pikë kulmore në gadishull.
Pas vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare nga Këshillit i Sigurimit ndaj Koresë së Veriut, për lëshimin e paautorizuar dhe antiligjor të një sateliti nëpërmjet një rreze të gjatë veprimi në dhjetor e një testi bërthamor në shkurt, Peniani u përgjigj duke anulluar armëpushimin me Korenë e Jugut dhe duke kërcënuar fqinjët, Japoninë e bazat amerikane në Azi me “shfarrosje bërthamore”.
Midis veprimeve të njëanshme që ndërmori regjimi diktatorial në veri ishte edhe mbyllja e kompleksit, që mban në punë 53 mijë koreanoveriorë dhe sjell përfitime të rëndësishme për të dy shtetet.
”Qeveria e Seulit propozoi zyrtarisht këtë të enjte mbajtjen e bisedimeve midis autoriteteve të Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut, për të zgjidhur problemet humanitare që prekin punëtorët e Kaesongut dhe për të normalizuar situatën në këtë zonë të përbashkët ekonomike”, deklaroi zëdhënësi.
Kërkesa e Seulit shoqërohej me ultimatumin se përgigja pozitive për bisedime duhet të vijë brenda 48 orëve, ndryshe Korea e Veriut do të përballet me rrjedhoja të rënda ndërkombëtare, por pa saktësuar se cilat do të ishin këto rrjedhoja.
Një zonë industriale në anën koreanoveriore të kufirit të përbashkët, ajo e Kaesongut i ofron shumë kompanive të jugut që të përdorin krahun tejet të lirë të punës në vendin komunist, ndërsa Koresë së Veriut i shërbejnë si një burim i pakët i grumbullimit të valutës së huaj.
Top Channel