Opozita denoncoi nga salla e Parlamentit fushatën e qeverisë, që përmes koncesioneve po transferon si monopol tek privatët një sërë shërbimesh publike.
”Qeveria ka detyrim t’i ofrojë këto shërbime sociale, e natyrisht edhe ndihmën sociale, por kjo që po ndodh këtu është e shoqëruar në procedurë me mangësi të tjera, është dëmi më i madh që po i bëhet këtij vendi në fund të një mandati 8-vjeçar”, akuzoi socialisti Erjon Braçe.
Deputetët e opozitës thanë se përmes kësaj politike kostoja që po u ngarkohet qytetarëve tejkalon dhjetë për qind të Prodhimit Kombëtar.
”Janë mbi 1 mld euro që i paguajnë qyteratët e Republikës së Shqipërisë pa asnjë shkak, pa asnjë përmirësim shërbimi dhe natyrisht, pa asnjë përfitim të drejtëpërdrejtë”, shtoi Braçe.
”Të gjitha këto janë në kurriz të qytetarëve, që nuk ishin keq që monopoli nga dora e shtetit të kalonte po në monopol në duart e individit, por janë keq që tregu të hapet dhe të ketë konkurrencë”, tha nga foltorja e Kuvendit deputetja Mimi Kodheli.
Por, ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se qeveria do të vazhdojë t’i transferojë monopolet e shërbimeve publike tek privatët sepse sipas tij kjo politikë ul korrupsionin.
”Po ju them se deri më sot kam arritur të bëj 5 koncensione, por sikur të mundesha, do të bëja edhe 15 të tjerë, që i gjithë shërbimi publik shqiptar, çdo krimb që ushqen korrupsionin të mund të kalojë në duart e privatit për të rritur cilësinë e ulur gjobat ndaj qytetarit”, tha ministri Bode.
Sipas zotit Bode, kjo politikë ka filluar të japë sakaq rezultatet e para pozitive.
”Ata që u trembën kur u vendos kjo nismë dhe që ishin të interesuar për treg të konkurrencës, shkoni e pyetini nëse pullat fiskale janë gjë e mirë apo e keqe, e do të merrni përgjigje prej tyre, spese unë e kam marrë ndaj atyre që e refuzonin në fillim”, shtoi ministri i Financave.
Pas debateve, Parlamenti miratoi me votat e shumicës kontratën që i jep koncesionin e skanimit në doganë një kompanie amerikane, e cila do të arkëtojë 39 euro për çdo automjet tregtar që kalon në doganat shqiptare.
Balla: Afere korruptive 25 mln euro e qeverise ne ikje
Deputeti socialist, Taulant Balla, akuzoi qeverinë se në ditët e fundit të mandatit është duke mbyllur një tender korruptiv, me vlerë 25 milionë euro për licencen e rrjetit dixhital.
”Nuk ishte parë dhe as dëgjuar që me një dorë të vetme të jepet projektimi, financimi, ndërtimi dhe përdorimi, kjo licensë vjen era korrupsion”, denoncoi Balla.
Zoti Balla deklaroi se veç miratimit në fshetësi të plotë, akuza për këtë tender ka edhe nga kompani prestigjoze ndërkombëtare, që kanë dashur të marrin pjesë.
”Një kompani gjermane e interesuar për këtë tender iu drejtua institucioneve të shtetit dhe tha se janë bënë nën presion sepse në Shqipëri i bënë presion ose do ta bësh tenderin me një partner shqiptar të lidhur me oborrin ose nuk e merr dot licensën”, shtoi Balla.
Qeveria ka vendosur që gjithë procedurën e këtij tenderi përfshirë nënshkrimin e kontratës të mbyllë brenda një kohe rekord, prej vetëm dy javë, ndërkohë që lajmërimi për zhvillimin e tij nuk është publikuar në asnjë media ndërkombëtare, ashtu siç e kërkon ligji.
Top Channel