Disa orë pasi kishte biseduar gjatë e gjerë me autoritetet amerikane dhe ato ruse, babai i dy të dyshuarve të ngjarjes së javës së kaluar në Maratonën e Bostonit, pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për të bashkëpunuar me autoritetet, tha një aktivist, i cili punon me familjen, për CNN.
Anzor Tsarnaev tha për median shtetërore ruse, RIA Novosti, se ai së bashku me gruan e tij, Zubeidat, do të lënë Republikën gjysmë-autonome të Rusisë jugore, Dagestanin, gjatë ditës së enjte.
Autoritete nga agjenci të ndryshme qeveritare në SHBA nuk e kanë konfirmuar menjëherë planin e udhëtimit të prindërve Tsarnaev.
Sipas raportimit zyrtar të medias ruse, një burim policor tha të mërkurën se prindërit e të dyshuarve dhanë pëlqimin për të udhëtuar në SHBA dhe “do të përfshihen në hetimet amerikane”.
Pas publikimit të raportit, aktivisti i të drejtave të njeriut, Kheda Saratova tha për CNN se vetëm babai, Anzor, do të udhëtojë drejt SHBA-ve, mëngjesin e së premtes.
Lajmi për udhëtimin e pashmangshëm vjen 9 ditë, pasi 3 njerëz ndërruan jetë dhe shumë të tjerë u plagosën, kur dy bomba shpërthyen në vijën e finish-it të maratonës.
Tamerlan Tsarnaev, 26 vjeç, ndërroi jetë disa ditë më vonë, pas një shkëmbimi zjarri me policinë. Trupi i tij ende nuk është kërkuar, deri të mërkurën, sipas Terrel Harris, një zëdhënës i shefit të zyrës së ekzaminimeve mjekësore të Massachusetts-it. Shkaku ekzakt i vdekjes së tij ende nuk është përcaktuar.
Vëllai i tij, Dzhokhar, u kap i gjallë natën e së njëjtës ditë, pasi u gjet i fshehur në një varkë në oborrin e shtëpisë në Watertown të Massachusetts-it. I karakterizuar nga gjendja normale në spitalin e Bostonit, 19-vjeçari i dyshuar ka komunikuar me autoritetet. Tashmë ai do të ketë edhe prindërit të pranishëm.
Top Channel