Një ndërtesë 8-katëshe është shembur ditën e mërkurë në periferinë e kryeqytetit të Bangladeshit, Dhaka, duke vrarë të paktën 123 persona dhe duke plagosur mbi 1000 të tjerë, bëjnë të ditur zyrtarët.
Betone të thyera dhe metale të spërdredhura janë ato që kanë mbetur nga grumbulli masiv i rrënojave, ku grupet e kërkim-shpëtimit po gërmojnë me duar për të gjetur punëtorë të mbijetuar.
Shefi i policisë së distriktit të Dhaka-s, Habibur Rahman, tha se përpjekjet për kërkim do të vazhdojnë edhe gjatë natës. Është ende e paqartë se sa njerëz mund të jenë zënë nën rrënoja, tha ai, teksa numri i të vdekurve pritet të rritet edhe më shumë.
Video nga skena e ngjarjes tregojnë viktimat e plagosur, që transportohen me barrela, si dhe grupet e shpëtimit që largojnë trupat nga rrënojat. Disa dëshmitarë në vendngjarje nuk mbanin dot lotët, ndërkohë që të tjerë kërkonin çmendurisht për personat e dashur, që mund të kishin humbur nën rrënoja.
Abdul Alim tha se kishte dëgjuar persona të bërtisnin brenda ndërtesës dhe u përpoq t’i ndihmonte ata. “Por, ne nuk mund të futemi brenda në këtë moment”, tha ai, një punëtor, i cili ishte një prej të mijëra të pranishmëve, që u përpoqën të shpëtonin viktimat përpara se trupat ushtarake, zjarrëfikëset dhe ato të mbrojtjes civile të mbërrinin në vendngjarje.
Autoritetet thonë se nuk dihen ende shkaqet që shkaktuan shembjen e ndërtesës, ku 5 prodhues veshjesh, që kishin punësuar mbi 2500 punëtorë, ishin vendosur, sipas Shoqërisë së Prodhuesve të Veshjeve dhe Eksportuesve të Bangladeshit. Disa punonjës pranë rrënojave thanë se një shembje ishte vërejtur gjatë së martës në katin e 7-të të ndërtesës.
Top Channel