Autobiografi apo rrëfime intime, një zhanër i thellë personal, pak i lëvruar në Shqipëri. Ka nga ata që kanë guxuar, shkrimtarë profesionistë apo edhe intelektualë, persona publikë të cilët kanë thënë të vërtetën e tyre me një libër.

Afërdita Cesula, kryeredaktore e shtëpisë botuese “Onufri”, deklaron: “Përgjithësisht janë shkrimtarë apo intelektualë të nivelit të lartë të cilët kthejnë përgjigje ndaj një libri tjetër si dhe një tjetër kategori e shkrimtarëve apo personaliteteve të cilët e zgjedhin si momentin më të përshtatshëm për të lënë kujtimet e tyre të botuara në një libër.”

Libra që janë shkruar si reagim emocional të fuqishem e që kanë tërhequr vëmendjen e një publiku të madh. Psikologia Aleksandra Citozi thekson: “Ka një ngacmues pse shkruajnë autobiografi, ka pasur momente të vështira dhe e kanë kanalizuar në diçka kreative si autobiografia.”

Sipas psikologes, të shkruash një autobiografi është një terapi kreative që të ndihmon t’i afrohesh problemit të vërtetë: “Procesi i përfshirjes të bën të përqendrohesh. Autobiografia është një punë e jashtëzakonshme dhe pas kësaj pune kalon vetvetiu në procesin e shërimit. Shprehja emocionale është gjithmonë e fuqishme.”

Për librat autobiografikë ka një interes veçanërisht në momentin që botohen. Nëse në të ka elementë të cilat prirja e përgjithshme është të mos i ndash me publikun, kurioziteti rritet.
 
“Ka interes sepse zbulohen ngjarje që është prirja për t’i fshehur. Janë të rëndësishëm pasi hedhin dritë mbi diçka që dikush nuk do t’i shihte”, thotë Cesula.

Por jo gjithmonë janë libra që qëndrojnë gjatë në treg: “Publiku priret ta blejë menjëherë, por libri me vlera i qëndron kohës.”
Tituj librash që duken si krijime të mirëfillta letrare, por që janë autobiografi, synojnë të bëhen edhe një model pozitiv frymëzues për të tjerë që gjejnë veten në heroin real të librit.

Autobiografia e Vera Bekteshit

Ajo ishte ndër vajzat më të bukura dhe inteligjente në të ashtuquajturin “Bllok të Udhëheqjes”. Si vajza e njërit prej ushtarakëve të lartë të asaj kohe, arriti të merrte më të mirën e asaj që mund të ofronte koha deri kur familja e saj u pa si armike e klasës punëtore.

Ketu filloi dhe gjithë kalvari i vuajtjeve të një divorci të imponuar dhe internimi, humbja e profesionit e të drejtave më elementare dhe më pas arrestimi i babait.

Vera heshti deri në vitin 2009, por e dinte se dikur do të fliste për jetën e saj në një mënyrë. Zgjodhi të rrëfehej për atë periudhë tronditjesh të forta 16-vjeçare në romanin “Vila me dy porta”.

Ajo kishte mbajtur ditar për shumë ngjarje të jetës së saj, por që u sekuestruan. Pavarësisht kësaj, ajo gjithçka e mbante të freskët në kujtesën e saj deri në detajet më të parëndësishme për ta sjellë për lexuesin historinë e saj dhe për të treguar forcën për të përballuar edhe situatat më të vështira.

Autobiografia e Mitro Celës

Mitro Cela, me një karrierë të gjatë si ekonomist, gazetar, këshilltar në vitin 2001, boton librin “Kronikë e një politikani të dështuar”.

Ai, nëpërmjet autoironisë, pranon të ketë qenë një politikan i dështuar. Duke i dhënë këto nota, me këtë stil të ri të të shkruarit, ai e pati shumë të lehtë të tregojë nga këndvështrimi poshtë-lart historinë e krijimit të Partisë Demokratike dhe të protagonistëve. Ai ishte një ndër 16 themeluesit e anëtar i byrosë politike.

Në momentin që nisi të shkruante, ai nuk kishte asnjë post. Në ditët e zbrazëta pa impenjime ky libër erdhi si një hakmarrje e gazetarit Mitro që shkroi 22 vjet ndaj politikanit, zotit Cela, që heshti 6 vjet për një “palo kolltuk të babait të kombit”.

Fakte të ëmbla, por më shumë të tharta të cilat ai kishte nisur t’i botonte në një cikël në gazetën “Albania” në vitet 98- 99. Në rrëfime janë vetëm ato skena ku Mitro luan rolin e politikanit, nuk shton asgjë përveçse disa doza ironie.

Një libër që nuk kaloi pa u komentuar nga politikanët të cilët vihen jo pak në siklet sa herë libri ribotohet apo rivjen në vëmendje.

Autobiografia e Hueyda El Saied

Ajo nuk heziton të eksperimentojë. Show-girl, prezantuese, aktore, shkrimtare… Hueyda El Saied ka krijuar profilin e saj më shumë se një vajzë e brishtë, si një femër që guxon.

Balerina fituese e spektaklit “12 kërcime pa një të shtunë”, prezantuese e disa emsioneve televizive, e cila vijon të ketë edhe një karrierë në Francë, në vitin 2000 botoi librin “Ngjyra e lëkurës sime”.

Një roman që tregon jetën e një vajze, të quajtur Edi, e cila ka si shenjë të veçantë faktin që ështe një nga paktet personat me “ngjyrë” të cilët jetojnë në Shqipërinë e para ‘90-ës.

Edi në fakt është Hueyda, e cila ka gjetur këtë formë për t’i dhënë përgjigje pyejeve pa fund dhe legjendave urbane që qarkullonin për historinë e lidhjes në martesë dhe të ndarjes së prindërve të saj.

Pasi u bë person publik, kurioziteti për origjinën dhe jetën e saj u shumëfishuan. Ngjyra e lëkurës, mbiemri jo shqiptar…

Këtë libër ajo ua dedikon edhe të gjithë atyre afrikanëve të cilët jetuan në Shqipëri apo u dëbuan dhe që ndjenë gjithmonë peshën e paragjykinit ashtu si edhe vetë Hueyda në fëmijërinë e saj, ku jo rrallë dëshironte të ishte një vajzë bjonde me sy bojëqielli.

Autobiografi shqiptare dhe të huaja

Ndonjëherë nuk duhet të shkosh shumë larg për të gjetur një personazh që do të mrekullojë publikun. Personalitete e intelektualë kanë kuptuar se kjo gjendej brenda tyre.

E njohur në botë si një mënyrë reagimi që sjell jo vetëm vëmendje, por edhe të ardhura! Libra të shkruar nga persona që kanë qenë pranë emrave të suksesshëm, por që janë vendosur në qendër të skandaleve të ndryshme.

Romani “E bukura dhe Bisha” ishte rrëfimi i Marcela Iacub, juriste dhe gazetare, njëkohësisht ish e dashur e ish-drejtorit të FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, i cili për të është një qenie gjysmë-njeri, gjysmë-derr, që e shndërroi St.Elise në një klub shkëmbimesh. Sipas autores, e cila u vendos në qendër të skandaleve seksuale që përfshinë Strauss Kahn, ai nuk kishte aspak dëshirë të bëhej president i Republikës, por ajo që e shtyu ishte e shoqja, Anne Sinclair.

Pas botimit të librit, i ashtuquajturi “DSK” ka reaguar menjëherë, duke i quajtur shpifje të rënda ato që ka shkruar ish e dashura e tij, teksa ka paralajmëruar edhe veprime ligjore kundër të gjitha pohimeve që janë praktikisht “sulme të ndyra të dinjitetit njerëzor”.

Ndërsa ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, zgjodhi të vihej sërish në qendër të vëmendjes si ajo e shumë viteve më parë kur doli në dritë historia e tij e dashurisë me Monika Levinskin. “Jeta ime” është libri që tregon një portret të plotë dhe të sinqertë të një udhëheqësi botëror. Ai në librin autobiografik tregon vështirësitë që hasi për t’ia treguar së shoqes të vërtetën mbi historinë e “dashurisë” me praktikanten e Shtëpisë së Bardhë.

Këtë zgjedhje e kanë bërë edhe shumë personalitete të tjerë dhe vitet e fundit edhe në Shqipëri po shihen në vitrinat e librarive nga shkrimtarë e personalitete të vendit tonë të cilët flasin në vetën e parë.

Ani Wilms – “Pritje te bukura”

Një libër me nota autobiografike ku shkrimtarja tronditi jo pak Tiranën. Me një rrëfim provokues, sa të vërtetë, aq edhe të trilluar për qeveritarët dhe elitën shqiptare të pas viteve ’90, të cilën arriti ta njohë nga afër si e fejuara e një prej funksionarëve të lartë të qeverisë së parë pluraliste. Duke ditur që do të ngjallte reagime, ajo erdhi në Shqipëri muaj pas promovimit të librit. Me këtë roman, Ani Wilms e çon lexuesin vetëm në pritje të bukura.

Elvira Dones – “Dashuri e huaj”

Një ngjarje e jetuar nga vetë autorja. Një roman ku historia e dhimbshme e një populli të tërë ndërthuret me historinë e një vajze të re, të mbushur me iluzione dhe me ëndrra për të ardhmen. Një libër që për shkrimtaren erdhi si divan i psikoterapistit kur ajo për një çast mori vendimin për tu larguar nga Shqipëria dhe la fëmijën. Gabimet janë njerëzore dhe si të tilla të pranueshme, të korrigjueshme, të falshme.

Mihal Luarasi – ‘Korbi Korbit nuk ia nxjerr sytë’

Ky libër është shkruar në formën e shënimeve, reagim mbi librin e Todi Lubonjës “Nën peshën e dhunës”. Në këtë libër autori përmend si një nga dëshmitarët në gjyqin e tij edhe Mihal Luarasin, i cili ka përfunduar gjithashtu në burg në po të njëjtën kohë e i akuzuar për futjen e frymës liberale në art e kulturë. I lënduar nga shpërfillja që bashkëvuajtësi i tij i ka bërë në libër shumë vite pas botimit, ai përgjigjet me një libër duke mos mohuar gjërat që janë thënë në adresë të tij, por thjesht i kualifikon ndryshe ato.

Leonard Bombaj – “Në Emër të Atit, bijës, e të shpirtit të zbathur”

Gjatë kohës që ziente skandali “Bombaj”, kur Prokuroria ende nuk e kishte marrë vendimin, producenti Leonard Bombaj zgjodhi të heshtte për arsye të ndryshme, por gjeti forcën që thuajse i vetëm të përballet dhe të thotë të vërtetën e historisë së tij me një prodhim artistik: “Në Emër të Atit, bijës, e të shpirtit të zbathur”. Një libër që tremb, me persoanzhe prindër të dhunshëm, adoleshentë, gjobvënës, artistë, prokurorë, ministra, trafikantë pasivë që fshihen në familje sikur ‘nuk dinë’ dhe urrejnë atë që ua rrëfen. Personat realë janë mbështjellë me fakte, vende, ngjarje, duke përdorur trillin artistik. Libri i shmanget emrave, datave, merret me fenomenin.

Inida Gjata- “Trimnika”

Një libër që mori vëmendje pasi Zhaku ka guxuar të nxjerrë sipas këndvështrimit të saj shumë biseda private me artistë e personazhe të tjerë të njohur. Gjithçka ka nisur pas daljes së saj nga një “reality-show”. Libri ka karakter satirik dhe përbëhet gjithashtu nga karikaturat e personazheve dhe ngjarjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA