PS: Berisha, reflekto për KQZ-në

24/04/2013 00:00

Në një kohë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke funksionuar
vetëm me katër anëtarët e propozuar nga maxhoranca PS dhe kur po
forcohen paralajmërimet e ndërkombëtarëve, se pa KQZ-në e plotësuar nuk
mund të ketë zgjedhje, Partisë Socialiste shprehu gadishmërinë për gjetjen e një
zgjidhje për të garantuar besueshmërinë e zgjedhjeve.

Për këtë çështje nga selia e PS-së deputetja Vasilika Hysi deklaroi se “çdo ditë e më tepër, po bëhet e qartë për të gjithë shqiptarët se tentativa e Sali Berishës për të rrënuar KQZ është kthyer në një burim alarmi për të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë”.

“Ne si PS jemi të gatshëm për të punuar për të gjetur një zgjidhje e cila do të garantonte integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 23 qershorit.Për të gjitha arsyet e mësipërme, e ftojmë Kryeministrin në ikje që në këto momente të dëgjojë zërin e arsyes dhe shqetësimin që nuk vjen vetëm nga Partia Socialiste dhe opozita, por nga të gjithë partnerët strategjikë të Shqipërisë në këto momente delikate për vendin tonë”, tha Hysi.

Po për problematikën e zgjedhjeve, Edi Rama së bashku me sekretarin për cështje zgjedhore në PS Damian Gjiknuri, ndodhen  në Vienë ku janë takuar me kreun e OSBE-së Lamberto Zannier.

Këtë takim Rama e ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Twitter. “Dreke pune ne Viene me Sekretarin e Pergjithshëm te OSBE Lamberto Zannier:Zgjedhjet si prove per Shqiperine dhe kriza e KQZ objekt i bisedes se frytshme” shkruan Rama.

Në mbledhjen e sotme 4 anëtarët e mbetur të KQZ-së, miratuan kërkesën e LSI-së për zëvendësimin e përfaqësimit të PBDNJ-së në Komisionet Zgjedhore. LSI e paraqiti këtë kërkesë pas kalimit në koalicionin opozitar dhe si forca e dytë në këtë formacion do të përfaqësohet ne piramidën zgjedhore me komisionerë.

FRD: Sa më shpejt zgjidhja për KQZ

Partia Fryma e Re Demokratike, e cila një ditë më parë komunikoi se do të hyjë e vetme në zgjedhje, ka kërkuar zgjidhjen sa më shpejt të situatës së bllokuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Përmes një deklarate për shtyp, FRD ka nënvizuar se është jetike që institucioni që administron proçesin zgjedhor të çlirohet nga militantët partiakë.

“Logjika e vendimmarrjes, funksionimit apo trajtimit të përfaqësimit në KQZ nga të gjitha palët e përfshira, është sa e papranueshme aq edhe me pasoja për cilësinë e zgjedhjeve”, ka deklaruar FRD.

Sipas saj, “zgjidhja duhet të jetë e shpejtë, konsensuale dhe institucionale, për t’i lënë vendit pas zgjedhjeve një reformë të plotë që e çliron administrimin zgjedhor nga militantët e deleguar partiakë dhe mundëson standarde të qëndrueshme të zgjedhjeve demokratike”.

FRD është shprehur se, mbetet një partner serioz dhe i përgjegjshëm i partnerëve strategjikë dhe parimeve demokratike që ata vijojnë të promovojnë në Shqipëri.

“Me këtë cilësi ne ftojmë çdo forcë politike të reflektojë për t’iu afruar interesit madhor publik për normalitet demokratik dhe zgjedhje vërtetë të lira e të ndershme më 23 qershor”, ka shtuar FRD.

KQZ-ja, Berisha refuzon PS-në

“Rama te kthejë një orë e më parë anëtarët në këtë institucion

“Kthe sa më shpejt anëtarët në KQZ se nuk do të ketë as edhe një gërmë ndryshim në Kodin zgjedhor dhe përbërjen e institucioneve, sikundër duhet të dënoj lojën që bëri me përfaqësuesin e partisë së minoriteteve. Ajo që i ndodhi Jani Janit, as në romane nuk lexohet. Edhe njëherë dua të garantoj shqiptarët se këto zgjedhje do të jenë të standardeve më të larta ndërkombëtare”, deklaroi Berisha.

Zannier: KQZ të jetë e plotë

Pas takimit që kreu i PS, Edi Rama pati me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së Lamberto Zannier, zyra e shtypit e OSBE-së publikoi një deklaratë ku takimi përshruhet i frytshëm dhe ku janë diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë rolin e Shqipërisë në OSBE, zhvillimet në Evropën Juglindore dhe zgjedhjet e afërta parlamentare në Shqipëri.

“Gjatë takimit u njoha me qëndrimin e Ramës dhe dëgjova me vëmendje shqetësimet e tij rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me zgjedhjet parlamentare dhe më konkretisht, me rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, ka deklaruar Zannier.

“Dëshiroj të theksoj se pres që të gjitha palët të kontribuojnë për të sjellë nivelin e pritshëm të ligjshmërisë dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor, duke nisur nga sigurimi i një anëtarësie domethënëse dhe të plotë të KQZ-së”, thekson Zannier.

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së shprehet më tej se, “Unë besoj se Kodi Zgjedhor, i ndryshuar në vitin 2012, përbën një bazë të shëndoshë për mbajtjen e zgjedhjeve të mira”.

Gjatë qëndrimit në Vienë, Rama pati edhe një takim me presidentin e Austrisë, Heinz Fischer. Siç njofton zyra e shtypit e PS-së, në këtë takim presidenti i Austrisë dhe lideri i opozitës, Edi Rama, kanë ndarë mendime lidhur me situatën politike parazgjedhore në Shqipëri përfshi, klimën parazgjedhore në vend dhe çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Presidenti i Republikës së Austrisë u shpreh mbi domosdoshmërinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Një tjetër çështje e bisedës mes kryetarit të Partisë Socialiste Rama dhe Presidentit të Austrisë Fischer ishte edhe arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe dialogu i vendosur mes dy shteteve.

Nga të dy bashkëbiseduesit arritja e marrëveshjes u vlerësua fort, si një faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit.
 

Top Channel