Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaroi se lideri i opozitës, Edi Rama, pasi bllokoi 3 herë statusin e vendit kandidat, po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë me KQZ-në.
“Dje u tha edhe njëherë qartazi se statusin e vendit kandidat Shqipëria e humbi prej mosvotimit të tre ligjeve, që ishin kusht i vendosur në Raportin e Progresit të Komisionit Europian në tetor 2012, si dhe në konkluzionet e Këshillit në dhjetorin 2012.
Pra, pavarësisht nga ato çfarë thotë opozita, u theksua dje përsëri nga komisioneri për Zgjerim dhe ministrja irlandeze, se ishte mëkat që konsensusi politik u ndërpre atëherë kur duhet të votoheshin 3 ligjet.
Nuk besoj se ka qytetar shqiptar që nuk e ka kuptuar këtë, sikurse nuk besoj se ka pseudoalenaca politike që nuk e kanë të qartë këtë”, deklaroi Bregu.
Në një prononcim për mediat, Bregu tha se, pseudoaleanca e majtë nuk është aspak fituese përmes kësaj rruge që ka zgjedhur.
“E vetmja gjë që bën Edi Rama është të vendosë prioritetin partiak mbi atë të Shqipërisë evropiane. Sikurse bën edhe sot. Ky kryetar partie po nuk bllokoi, nuk e shtyn dot jetën e tij politike. Të njëjtën gjë që po bën edhe me KQZ-në.
Përsëri pala evropiane bëri thirrje. Komisionieri Fyle theksoi se të gjitha palët politike kanë përgjegjësi për të siguruar besimin e njerëzve në proçesin zgjedhor e se të gjitha palët politike duhet të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Të gjitha palët! Rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet për të mos e lënë më vendin peng të bllokimit, siç bëri Edi Rama pas zgjedhjeve të 2009-ës”, u shpreh Bregu.
Top Channel